“ERDHLEZETI” NE PRISHTINE

10.07.17 12:17


“Erdhlezeti” është festival tashmë tradicional në Kosovë i cili mbledh qindra njerëz në kryeqytet gjatë ditës për të festuar ardhjen e verës dhe ikjen e dimrit.

Tash e tri vjet festivali ofron performanca të veçanta në qendër të Prishtinës në hapësirën përballë kafe-librarisë ‘Dit’ e Nat’. Përveç muzikës, festivali njihet për atmosferën festive në formë të “block-party” që do të thotë festë e lagjes, ku performancat e zgjedhura me kujdes në kombinim me energjinë e publikut krijojnë një ndër përvojat më magjike të vitit në Prishtinë.

“Festivali fton çdo vit të paktën një grup nga Kosova për të përfaqësuar më të mirën e skenës lokale të muzikës. Sivjet këtë rol e luajti Shpat Deda, i cili në grup kishte rekrutuar disa nga muzikantët më të mirë për të formuar çka mund të njihet vetëm si një super grup. “Erdhlezeti” ka filluar si festë e shumëllojshmërisë kulturore, duke i dhënë posaçërisht hapësirë artistëve të influencuar nga muzika e rajonit. Sivjet kjo hapësirë pjesërisht ishte e Demir Kanturovski & Uska Kan Orkestra - brass band 9-anëtarësh që luan këngë të njohura nga folklori rom me aranzhmane të frymëzuara nga muzika jazz e pop”, ka treguar njëra prej organizatorëve, Diellza Nushi.

Ndër performancat tjera ishin edhe Sazet e Përmetit. Për fund, publiku udhëtoi pak më larg, nën tingujt e ëmbël të Senegalit. Kaira Kela nga Zagrebi solli shfaqjen e tyre “Afrobeat” të mbushur me diell dhe ritme afrikane, që i bëri të gjithë të rinjtë që ishin të pranishëm të vallëzojnë pa marrë parasysh shijet e tyre muzikore.

“Pash shumë bashkëmoshatarë të vendeve të ndryshme të Kosovës, me të cilët pata mundësi të shoqërohem dhe të vallëzoj. I gjithë organizimi ishte fenomenal”, ka thënë qytetarja e Prishtinës, Vesa Caka.

Zhvillimi i skenës kulturore, po bëhet edhe më i rëndësishëm për institucionet dhe organizatat e shumta, të cilat e ndihmuan këtë festival të realizohet me të gjitha pjesët e veta interesante.

ERDH LEZETI 2017