PERFUNDON ME SUKSES FESTIVALI I MUZIKES - NGOMFEST

17.07.17 07:05


Festivali i muzikës NGOMfest erdhi me edicionin e shtatë, i cili është organizuar për herë të dytë në kalanë e qytetit të Prizrenit. Gjatë datave 6-9 korrik NGOM-i solli një program të gjerë muzikor me artistë të huaj dhe vendor, të ndarë në dy skena. Sipas traditës, natën e parë kishte hip-hop, të dytën rock muzikë dhe nata e fundit muzikë elektronike.

E veçanta e natës së parë ishin hip-hop artistët kosovarë P.I.N.T , natën e dytë rock bendi nga Suedia, Eldoradio, që u përkujdes të sjellë frymë të re roku, ndërsa natën e tretë techno DJ nga Gjermania dhe Spanja që elektrizoi qytetin deri në orët e mëngjesit. “Biletat ishin në shitje qysh 10 ditë para. Festivali është bërë vendi i preferuar për të rinjtë e Kosovës, ku vizituesit e presin mëngjesin duke dëgjuar muzikë, marrin pjesë muzicientë e Dj të ndryshëm, si dhe u ofrohet mundësia artistëve të rinj që të promovohen”, ka thënë Ulpiana Emra, zëdhënëse e festivalit. Përderisa kishte gjatë tre netëve zhanre të ndryshme të muzikës, që të tria këto u cilësuan si të suksesshme nga të rinjtë që ishin prezent. “Kemi ardh që gjithë vikendin të qëndrojmë në Prizren dhe të marrim pjesë në këtë festival. Për ne, çdo natë ishte e mrekullueshme, vendi fenomenal si dhe kemi njohur shumë moshatarë tanë nga qytete të ndryshme të Kosovës. Ishim pjesë edhe e ‘Sunrise Stage’ ku u argëtuam tej mase. Tani, me padurim e presim edhe DokuFest-in, që sërish të jemi prezent në Prizren”, ka thënë Antigona Nili, 18 vjeçare që kishte udhëtuar nga Peja në Prizren për të qenë pjesë e festivalit.

PËRFUNDON ME SUKSES FESTIVALI I MUZIKËS - NGOMFEST