PERFUNDON SHKOLLA VERORE E ORGANIZUAR NGA KOLEGJI AAB

05.09.17 13:14


Është përmbyllur edicioni i parë i shkollës verore ndërkombëtare për Demokraci dhe Zhvillim, organizuar nga Kolegji AAB. Pjesëmarrës në këtë shkollë verore ishin të studentë të shumtë nga vende të ndryshme.

Hendrik Steinort është student i cili erdhi nga Britania e Madhe, dhe falë kësaj shkolle verore, përfitoi eksperienca shumë të mira në vendin tonë. “Është hera e parë që kam vizituar Kosovën. Ky vend ka përqindje të madhe të gjeneratës së re, dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Gjatë qëndrimit tim këtu, jam ndjerë shumë mirë, dhe kam mësuar shumë. Në Kosovë kam hasur në shumë njerëz të mirë, këtu ka atmosferë ndërkombëtare dhe njerëzit janë shumë të hapur për bashkëpunime dhe shkëmbimin e përvojave. Kosova është një shembull shumë i mirë për multietnicitetin dhe bashkëjetesën”, shton ai. Sipas tij, bashkëjetesa mes të gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë, e bëjnë këtë vend më të veçantë dhe shpresëdhënës.

Erza Idrizaj, studente në Fakultetin e Filologjisë dhe po ashtu pjesëmarrëse në këtë Shkollë Verore theksoi: “Kam mësuar shumë prej pjesëmarrësve të tjerë. Kam pasur mundësi të njoftoj shumë njerëz dhe të shkëmbej përvoja me ta. Gjatë këtyre dhjetë ditëve kemi biseduar për Evropën, Ballkanin dhe Kosovën. Çdo pjesëmarrës ka paraqitur eksperienca të ndryshme varësisht nga vendi që vijnë.”

Në shkollën verore të organizuar nga Kolegji AAB, ka pasur shumë ligjërues, ndër ta edhe nga Kolegji AAB po ashtu nga “American School of Kosova” dhe Universiteti i Prishtinës. Në kuadër të kësaj shkolle verore, ndër të tjera është folur edhe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ndërmarrësi, janë organizuar udhëtimet si dhe takime të shumta.

“Ne ishim në Tetovë, Shkup, Valbonë, Prizren e shumë vende të tjera. Ishte një përvojë e mrekullueshme. Të gjitha ato që i kemi dëgjuar nga profesorët në ligjërata dhe nga studentët, kemi pasur mundësi që t’i shohim edhe në këto vende që i vizituam”, u shpreh më tej i entuziazmuar Hendrik Steinort.

Shkolla Verore ishte një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe marrjen e informacioneve të ndryshme për të gjithë pjesëmarrësit që ishin prezent.

AAB SHKOLLA VERORE 2017