ELBENITA KAJTAZI KORR SUKSESE TË REJA

06.09.17 13:39


Elbenita Kajtazi, soprano, nuk ka të ndalur me sukseset dhe me vlerat e saja të cilat i prezantoi edhe jashtë Kosovës. Elbenita qysh në moshën e re, ka shprehur dashurinë dhe interesimin për muzikën. Ajo është paraqitur në disa festivale në vendlindjen e saj, Mitrovicë, kurse sot gëzon popullaritet të madh dhe zëri i saj vlerësohet lartë nga ekspertët e kësaj fushe muzikore.

“Familja ime nuk ishte aspak në botën e muzikës klasike, në fakt në asnjë zhanër të muzikës. Kam filluar qysh e vogël të këndoj. Mundësinë dhe talentin për muzikën klasike e zbulova kur u regjistrova në shkollën e muzikës. Maria Callas gjithmonë ishte idhulli im. E shikoja në internet duke kënduar, dhe thjeshtë e admiroja. Ermonela Jaho ishte një tjetër inspirim i madh për mua, ashtu si dhe Inva Mula”, shpjegon ajo.

Elbenita Kajtazi ka studiuar këndimin në Kosovë, dhe ka qenë pjesë e Filarmonisë së Kosovës për pesë vite. “Në Filarmoninë e Kosovës kam pasur përvojë shumë të mirë. Aty në fakt e hoqa tremën për të performuar në skenë. Por duhet treguar sinqerisht se përvoja që e fitova në Gjermani, nuk mund të krahasohet me këtu. Tani veçse u bënë katër vite të qëndrimit tim në Gjermani, dhe unë kam fituar një përvojë tejet të madhe,” thekson Kajtazi.

Një nga sukseset më të mëdha të Elbenitës, është fakti se ajo është pjesë e operës në Berlin. Në fillim ajo hyri në operën e Berlinit si artiste e re dhe për tri vite është trajnuar për të arritur deri te suksesi që e ka sot. Elbenita Kajtazi sot ka të nënshkruara kontrata dhe marrëveshje të shumta në vende të ndryshme të cilat përveç suksesit dhe përvojës, po i sjellin edhe përfitime materiale. Deri më sot, Elbenita i ka pasur rreth 200 shfaqje.

Një nga rolet më të pëlqyera për të është roli i “Mimisë” në operën “La Boheme”. “Sezonin e ardhshëm do të performoj edhe Traviatën nga Giuseppe Verdi, pastaj edhe Paminën, Musetten e shumë të tjera. Në Gjermani kam pasur mundësi të këndoj edhe me artistë të tjerë shqiptar siç janë Saimir Pirgu, Gëzim Mushketa, Ardian Halimi etj.”, përfundoi ajo.

Sipas Elbenita Kajtazit, Kosova ka shumë solistë të mirë e profesional, të cilët së bashku me orkestrën do të duhej të fillojnë të sjellin ndryshime dhe inovacione për publikun kosovar.

 

ELBENITA KAJTAZI