“PYLLI I ARINJVE PRISHTINA” SHTEPIA E VERTET E ARINJVE

07.09.17 13:17


Përfaqësuesi i organizatës ‘Four PAWS’, Carsten Hertwig në ceremoninë e një vjetorit të shpëtimit të tre arinjve Xhina, Tomi dhe Pashuku tregoi jetën që këta arinj tani e bëjnë në ‘Parkun e Arinjve Prishtina’.

“Është bërë gati një vit qëkur i kemi marr këta arinj nga Shqipëria dhe i kemi shpëtuar pasi që më parë kishin jetuar në kushte shumë të vështira. Arinjtë nuk duhet të mbahen në mënyre private, kjo gjë duhet të ndalohet edhe me ligj sepse ariut i bën keq të jetojë në kafaze të vogla. Situata e arinjve tani është shumë më e mirë, ata luajnë me njëri tjetrin dhe kanë shtuar peshë”, ka thënë Carsten Hertwig.

Një fjalim rasti në këtë organizim mbajti edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili pati një lajm të mirë për ‘Pyllin e Arinjve Prishtina’. “Jam shumë i lumtur që ky park po vizitohet tej mase nga fëmijët dhe të rriturit dhe se është bërë një prej vendeve më turistike në Prishtinë. Në mbledhjen e fundit të asamblesë komunale, kemi vendosur që ta zgjasim projektin, gjegjësisht lejen e shfrytëzimit të tokës si dhe zgjerimin e saj. Tani ky pyll e ka lejen edhe për 99 vite të tjera dhe ne i jemi falënderues këtij ekipi për punën që po e bëjnë këtu”, u shpreh i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në këtë festë po ashtu u paraqit edhe një video e cila tregoi trajtimin që këta arinj kanë marrë nga kafazi deri tek shtëpia e tyre e përjetshme. ‘Parku i Arinjve Prishtina’ është një mundësi e mirë për t’i parë nga afër arinjtë, por që është e kundërta e kopshtit zoologjik. Këtu arinjtë nuk mbahen në kafaze por bëjnë një jetë normale dhe shumë natyrale.

Xhina, Tomi dhe Pashuku janë arinj të cilët janë marrë në Shqipëri nga pronarët e lokaleve të ndryshme dhe janë sjellë në Kosovë.

PYLLI I ARINJVE SHTATOR 2017