HAPET EKSPOZITA ‘E SHKUARA: E ARDHMJA E SE TASHMES’

03.10.17 12:23


Artan Draçini, piktor dhe grafist nga Shkodra, ka hapur ekspozitën personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës të titulluar "E shkuara: e ardhmja e së tashmes".

Ekspozita e ka gjuhën e simbolikës së të shkuarës, që vjen si një kambanë jehuese në të tashmen, për të pasqyruar faktin si një keqkuptim normal dhe ironik në të ardhmen.

Në lidhje me këtë ekspozitë dhe artistin Draçini, kuratorja e ekspozitës, Suzana Varvarica Kuka tha: “e mbështetur në konceptin tim se artisti është faktori themeltar i imazheve, të cilat, fillimisht, i lind si ndjesi vetjake e të fshehta, ai i ruan ato në burimin racional dhe më pas i shpërthen emocionalisht aty ku bota e tij e brendshme shpërndahet në të gjitha muret imagjinare, aty ku ndodhemi të gjithë, tek ekspozimi i tyre.”

Në ekspozitë janë paraqitur 27 punime, të cilat janë në fletë grafike, të cilat jetojnë si një grupim, si dhe në pikturë, e cila ka një gjuhë tonale-grafike, tepër emocionale dhe konvergjente me faktin historik dhe emocional.

“Kjo ekspozitë është shumë speciale për mua. Është personale dhe më vjen mirë që brenda pak ditësh po komentohet pozitivisht dhe galeria po vizitohet. Ftoj gjithë të rinjtë të cilët janë artdashës, të vijnë e të shohin ekspozitën time, e cila shpresoj se do t’iu ndihmoj në përkufizimin e kuptimit,” u shpreh artisti Draçini.

Kjo ekspozitë do të qëndroje e hapur deri në fund të muajit tetor në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

 

 

EKSPOZITA E SHKUARA E ARDHMJA E SE TASHMES