NE SUHAREKE NDERTOHET HIPODROMI I PARE NE KOSOVE

05.10.17 13:37


Kuajt ndër vite i kanë shërbyer njeriut si mjet transporti por, me kalimin e kohës qëllimi i përdorimit të tyre ka ndryshuar dukshëm.

Në kohët moderne kuajt janë shndërruar në atraksion sportiv në disiplina të ndryshme. Padyshim, ndër garat më të famshme janë garat e shpejtësisë. Falë një investimi prej 2 milionë euro, tani e tutje garat e tilla do të mund të organizohen edhe në vendin tonë, gjegjësisht në Suharekë ku është hapur hipodromi i parë në Kosovë. HipodromI ka një ofertë mjaft të pasur pasi që, në hyrje të tij është hoteli i cili i përmbush të gjitha kushtet për ata të cilët dëshirojnë të ikin nga rutina e përditshme.

Ky projekt shtrihet në një hapësirë prej 10 hektarësh dhe ai u bë realitet falë dëshirës së z. Agron Krasniqi i cili vendosi që të investonte një shumë të madhe parash vetëm për të sjell diçka të veçantë në vendin tonë.

“Në moshë shumë të re jam shpërngulur për të jetuar në Itali. Gjatë qëndrimit tim atje kam shikuar shumë gara me kuaj. Që atëherë më ka lindur ideja që të hapi një hipodrom në Kosovë. Në këtë hapësirë, kam dashur të krijoj një zonë industriale, një hipodrom i cili do t’iu ngjaj atyre në Evropë”, u shpreh Agron Krasniqi pronari i Hipodromit.

Ky vend parasheh të ofroj ndjenjë relaksimi dhe kënaqësie për vizitorët. Në këtë hipodrom gjenden raca të ndryshme të kuajve por, ka edhe poni të cilët parashihen për argëtimin dhe shëtitjen e fëmijëve.

Se sa i qëlluar ishte ky investim e tregon fakti se më 30 shtator, duke filluar nga ora 9, Hipodromi i Suharekës ishte nikoqir i garave ballkanike me kuaj në disiplina të ndryshme. Me këtë rast aty defiluan dhe garuan kuaj të racave më eminente botërore të cilat u panë për herë të parë në vendin tonë.

HIPODROMI SUHAREKE 2017