FILLON FESTIVALI NDERKOMBETAR I FILMIT “HYJNESHA NE FRON”

06.10.17 13:31


Përmes një shënimi jubilar dhe një ceremonie festive, në praninë e shumë mysafirëve dhe dhjetëra krijuesve të filmit, të shtunën në mbrëmje, në stacionin e trenave në Fushë Kosovë, përkatësisht në “Hotel Hyjnesha”, i hapi portat e kinemasë edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Hyjnesha në Fron” (Hn’F)

Në ceremoninë e hapjes ku ishin prezent shumë mysafirë dhe artist të filmit nga disa vende si Izraeli, Holanda, Gjermania, Franca dhe Belgjika, u tha se festivali ёshtё duke kaluar nëpër zgjedhje dhe nëpër ndryshime.

“Disa nga ju mbase e keni vërejtur se festivali po kalon nëpër ndryshime”, deklaroi drejtuesja e programit te Hn’F-sё, Makfire Morea e cila i theksoi edhe njëherë kushtet e limituara organizative. “Jemi tejet të kënaqur të jemi në mesin e miqve që e ndajnë dashurinë tonë ndaj kinematografisë, jetës dhe lirisë”, tha Morea në vazhdim.

“Hyjnesha” u themelua në vitin 2002 nga aktori, Besim Ajeti, si festivali i parë ndërkombëtar i filmit në Kosovë. Që atëherë, kanë kaluar më shumë se pesëmbëdhjetë vjet mirëpo, festivali regjistron vetëm edicionin e tij të dhjetë për shkak të rrethanave shoqërore.

“Filmi, trenat dhe miqësia ёshtё lidhja që ne po mundohemi ta ndërtojmë dhe ta mbajmë gjallë”, u tha Morea mysafirëve të mbledhur në njërën nga tri tribunat, në një ambient me mot të ftohtë, para se të shfaqej premiera evropiane e filmit kanadez “Kiss and cry” (“Puthje e lot”).

Pasi u prezantuan dy juritë e festivalit, për film të metrazhit të gjatë në krye me Mark Norfolk dhe atij të shkurtër në krye me Naser Shatrollin si dhe me pjesëmarrës nga vende të ndryshme, publiku u drejtua për në sallën e vogël e të ngrohtë ku mundi ta përcjellë me përkushtim projeksionin kinematografik që ёshtё në garë për njërin nga çmimet e festivalit, duke përfshirë edhe çmimin për Filmin më të Mirë të Hn’F-sё.

HNF 2017