MBAHET KONFERENCA E DIZAJNIT GRAFIK 'REDO'

10.10.17 13:43


Vigan Hoxha, koordinator i konferencës së dizajnit grafik REDO, foli për edicionin e shtatë të këtij aktiviteti. Hoxha tregoi, se mbi 300 studentë dhe profesionistë nga mbarë bota e kanë vizituar Prishtinën për REDO.

“Përveç ligjëratave si pjesë e konferencës ishte edhe organizimi i shfaqjes së filmave nga ‘Girls Like Us’ (BE) në bashkëpunim me galerinë ‘LambdaLambdaLambda’ në Prishtinë. Filmat u shfaqen çdo ditë nga data 22 shtator deri më 6 tetor në hapësirën e kësaj galerie dhe kanë për tematikë programin ‘queer’ dhe feminist", tha Hoxha.

Edhe këtë vit, konferenca i mbajti ligjëratat në disa hapësira të ndryshme të qytetit si: Shtypshkronjën Rilindja, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Në edicionin e sivjetmë kanë ligjëruar Coline Sunnier & Charles Mazé, Girls Like Us, Žiga Testen, Metahaven, Anna Haas, Zgjim Elshani dhe Jonas Voegel.

“Në kuadër të konferencës janë mbajtur edhe një seri e ndejave. Sot, DJ Alush ka luajtur muzikë në Hamam Jazz Bar. Kurse me datën 7 tetor në Klubin M të Prishtinës kanë performuar Jabolex/The Breze Institute nga Gjermania”, tha Hoxha.

Konferenca, si gjithmonë organizohet në pika të ndryshme arkitektonike të qytetit, duke u mundësuar vizitorëve të huaj përjetimin e qytetit në mënyrë sa më të plotë. Sivjet për të theksuar edhe më tutje këtë komponentë të konferencës është organizuar edhe një udhë-rrëfim në qytet, i cili u mbajt nga Bekim Leka Ramku nga KAF (Kosovo Architecture Foundation).

REDO 2017