FEMIJET DHE TE RINJTE ME SINDROMIN DOWN PRODHOJNE XHEM NGA MJEDRAT

11.10.17 13:38


Nga 900 persona me ‘Sindromin Down’, që sipas shifrave zyrtare jetojnë në Kosovë, vetëm 5 prej tyre janë të punësuar. Që të pestit janë të punësuar vetëm në institucione private. Shoqata “Down Sindrom Kosova”, së fundmi ua ka mundësuar këtyre personave që brenda kësaj organizate të prodhojnë dhe paketojnë xhem nga mjedrat.

Engine Avgje, menaxher i projektit “X21 Mjedra”, i cili ka për qëllim qasjen e personave me Sindromin Down në tregun e punës, tha se këta persona janë trajnuar që në mënyrë plotësisht të pavarur ta kryejnë këtë punë. “Me këtë projekt kemi filluar në muajin maj dhe kemi bashkëpunuar me teknolog ushqimor për të na mësuar se si prodhohet xhemi. Më pas kemi filluar me prodhim dhe paketim. Gjashtë persona me Sindromin Down dhe tre të tjerë nga qendra e tyre janë angazhuar në këtë projekt,” u shpreh Avgje.

Drejtoresha e shoqatës “Down Sindrom Kosova,” Sebahate Beqiri, tha se i gjithë procesi i prodhimit dhe paketimit bëhet brenda shoqatës, përderisa qëllimi i gjithë kësaj është që të ngrihet vetëdija e qytetarëve se personat me Sindromin Down mund të jetojnë dhe të punojnë të pavarur.

“Sa i përket trajnimit dhe aftësimit profesional, ky program është në kuadër të Shoqatës ‘Down Sindrom Kosova’. Tash e sa kohë ne i kemi mbështetur këta persona për zhvillimin e aftësive të tyre profesionale. ‘Xhem X21 Mjedra’ është projekti më i ri në vazhdën e një sërë projektesh të tjera ‘Kafeteria X21’ në Prishtinë, ‘Bistro Garden’ në Prizren si dhe punëtoria për paketimin e mjaltit”, tha Beqiri.

Vetëm dhjetë vite më parë shumë prindër të fëmijëve me Sindromin Down nuk kanë pasur njohuri për të drejtat e fëmijëve të tyre. Por, ndërkohë me angazhimin e zyrtarëve të organizatave siç është “Down Sindrom Kosova”, informimi dhe përkrahja ka ndryshuar qasjen e tyre në shoqëri.

 

XHEM X21 MJEDRA 2017