FESTIVALI I TEATROVE TE KOSOVES

27.10.17 13:18


Me një ceremoni madhështore, në Ferizaj më 21 tetor filloi Festivali i Teatrove të Kosovës i cili po mbahet për të 47-tën herë me radhë.

Kjo ngjarje kulturore është mirëpritur nga artdashësit ferizajas. Njëri prej aktorëve më të dashur për qytetarët e kësaj komune, Artan Hyseni, në hapje të festivalit çmoi lart angazhimin e të gjithë organizatorëve që për më shumë se 4 dekada po e mbajnë gjallë traditën e mbajtjes së festivalit.

“Festivali tradicional i teatrove, paraqet një ngjarje të rëndësishme kulturore jo vetëm për Ferizajin. Përmes këtij festivali, na ofrohet mundësia që për çdo vit të shijojmë arritjet teatrore nga anë të ndryshme të gjeografisë, të njihemi me vlerat teatrore dhe kulturore që po krijohen aktualisht tek ne. Festivali i teatrove në Ferizaj, ka krijuar tashmë një traditë të begatshme dhe paraqet vlerë të bukur në rrjedhat kulturore në Ferizaj e më gjerë. Bëhet fjalë për një traditë rrugëtimi artistik që ka shënuar ngritjet e zbritjet e veta, por që gjithsesi e ka begatuar jetën kulturore jo vetëm në Ferizaj. Uroj që ky edicion të sjell risi cilësore dhe të ketë nivel të lakmueshëm artistik të shfaqjeve. Komuna e Ferizajt e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë festival me të gjitha mundësitë e veta. E konsideroj si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të bukura të vitit” tha në fjalën e tij aktori Hyseni.

Në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj do të marrin pjesë 8 shfaqje konkurruese me të cilat do të prezantohen trupat teatrore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Drejtori i teatrit "Adriana" në Ferizaj Fatmir Hyseni ka thënë se edhe sivjet gjatë netëve sa do të zgjasë kjo ngjarje kulturore do të ketë mysafirë të shumtë nga vendi dhe rajoni.

Juria e festivalit të sivjetshëm, përbëhet nga Vjosa Abazi, Selman Jusufi dhe Erson Zymberi. Ndërsa biletat për të marr pjesë në këtë festival kanë filluar të shiten para dy ditësh dhe do të kenë një kosto prej 2 deri në 3 euro.

 

FESTIVALI I TEATROVE 2017