UTA IA DHURON MUZEUT TE GJILANIT KAZMEN ME TE CILEN U NGJIT NE EVEREST DHE MANASLU

31.10.17 13:59


Uta Ibrahimi është femra e parë që është ngjitur në dy maje të larta brenda një viti. Uta është ngjitur në majën Everest – 8848 metra mbi nivelin e detit, në muajin maj të këtij viti si dhe në muajin shtator ajo ka shënuar ngjitjen e dytë, atë në majën e Manasolus, 8160 metra e lartë.

Gjithë këto ngjitje Uta i bëri edhe me ndihmën e një kazme e cila do të mbetet histori për kosovarët. Për t’u ruajtur në mënyrën dhe vendin e duhur, kjo kazmë historike, i është dorëzuar Muzeut të Gjilanit. Për këtë gjë ka njoftuar vetë Uta e cila është shprehur e lumtur që ka kontribuuar në këtë Muze.

“Gjilani nuk ka autostradë, por ka histori e njerëz të edukuar. E ka muzeun e vet i cili është i mbushur me gjëra që i kanë sjell vet njerëzit. Tani, me shumë kënaqësi, pas kërkesës së drejtoreshës së Muzeut të Gjilanit znj. Gjylishen e dhashë edhe unë kontributin tim. Unë e dhurova kazmën historike me të cilën u ngjita në 2 çatitë e tokës, si gruaja e parë kosovare, Everest 8848 dhe Manaslu 8163”, është shprehur Uta.

Për qytetarët e Gjilanit si dhe për Muzeun e këtij vendi, një vepër e tillë është tejet mbresëlënëse. “Jemi të lumtur e të privilegjuar që na është dhënë mundësia që kjo kazmë historike të jetë pjesë e Muzeut tonë. Bëj thirrje që të rinjtë të na vizitojnë dhe ta shohin për nga afër. Përveç kësaj, do të mundohemi të mbledhim fëmijët e komunës tonë, që të bëjnë debate me Utën, ku do të mësojnë edhe shumë gjëra të tjera e frymëzuese nga ajo,” është shprehur drejtoresha e Muzeut të Gjilanit.

Sipas alpinistes Uta Ibrahimi, përveç përmirësimit të teknikave alpine, kjo eksperiencë e ka njohur me kuptimin e vërtetë të fjalës alpiniste ku rreziku të përcjellë në çdo hap andaj bjeshkët dhe natyra duhet të respektohen.

UTA IBRAHIMI