LANSOHET MUZEU I PARE VIRTUAL I GRAVE AKTIVISTE PER TE DREJTAT E NJERIUT

28.12.17 14:32


Artpolis (Qendra për Art dhe Komunitet) lansoi Muzeun e parë Virtual të Grave Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, në Teatrin Oda në Prishtinë.

Ky muze virtual, paraqitet si një entitet digjital që i merr karakteristikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë: promovimin e vlerave të aktivizimit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut.

“Ky muze, i cili është i pari i këtij lloji në Kosovë, paraqitet në formën e platformës interaktive e cila sjellë rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste”, ka shpjeguar Zana Hoxha nga kjo qendër.

Artpolis ka mbledhur fillimisht 20 shkrime për gratë nga Kosova dhe Rajoni, të cilat kanë luftuar pabarazitë sociale në forma të ndryshme duke u angazhuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëritë patriarkale.

“Dëshirojmë që gjeneratat e reja, femrat e reja, të mos përballen me këso probleme, të cilat do t’i pengojnë ato që të ngriten në karrierën e tyre profesionale por edhe në jetën personale”, u shpreh Hoxha.

Prezantimi i platformës u përcoll edhe me një diskutim me aktivistet pjesëmarrëse si dhe me një koktej rasti. Kjo iniciativë është përkrahur nga organizata “Kvinna till Kvinna”.

 

MUZEU VIRTUAL I GRAVE AKTIVISTE 2017