TE JESH I MENCUR ESHTE NE MODE

05.02.18 09:34


“Kurrë nuk kam bërë asgjë aksidentalisht dhe asnjë nga shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht, ato të gjitha ishin rezultat i punës.” Thomas A. Edison

      Cila është mënyra më e lehtë për të gjetur një artikull të caktuar në një supermarket të madh? Përgjigja në këtë pyetje është shumë e thjeshtë, e pyesim ndonjërin nga punëtorët. Sidoqoftë, për rreth 70 milionë njerëz në mbarë botën kjo është një sfidë pothuajse e pakalueshme sepse ata janë shurdhmemec dhe mënyra e tyre e vetme për të ndërvepruar me njerëzit e tjerë është gjuha e shenjave. Për fat të keq, janë shumë të pakët ata njerëz që e njohin këtë gjuhë. Kështu që, një situatë kaq e thjeshtë për këta persona është tejet frustruese. Madje, ky është realiteti i jetës së tyre të përditshme. Tani, a nuk do të ishte mirë sikur të kishim një shpikje e cila do të mund ta përkthente aty për aty gjuhën e shenjave në tekst apo të folur? Përgjigja prapë është shumë e thjeshtë: PO!

    Raesa Nikshiqi është një vajzë adoleshente nga Prishtina e cila ëndërron që t’iu dalë në ndihmë të gjithë personave shurdhmemec. Mirëpo për dallim prej shumicës së bashkëmoshatarëve të saj Raesa këtë ëndërr e ka bërë realitet. Ndonëse, është vetëm 15 vjeçare ajo tashmë e ka krijuar shpikjen e saj të parë - një dorëz elektronike e cila e përkthen gjuhën e shenjave në tekst të shkruar. Madje, kjo shpikje e ka bërë atë të njohur në tërë rajonin sepse me të kohë më parë ajo fitoi në edicionin e pestë të “Albanian ICT Awards” në kategorinë “Ylli në ngritje i vitit”. Në lidhje me shpikjen e saj Raesa tregon se tërë jetën e saj ajo ka pasur kontakt me teknologjinë informative pasi që babai i saj punon si IT. Mirëpo, ajo thekson se vetëm para dy vjetëve filloi të merrej më aktivisht me programim dhe robotikë, pasi u regjistrua në Akademinë jCoders në Prishtinë. Madje me shumë modesti, ajo tregon se deri vonë pak kush i njihte aftësitë e saj në këtë fushë.

    “Për mua ky ishte një kurs dhe të lavdërohesha se e vijoj atë ishte sikur të lavdërohesha se vijoj një kurs të gjuhës angleze. Vetëm pasi e përfundova projektin dhe fitova në ICT Awards gjithçka ndryshoi sepse të gjithë e morën vesh se çfarë niveli kam arritur,” theksoi Raesa. Ajo vazhdoi më tutje duke theksuar se dorëza e saj në stadin e tanishëm paraqet vetëm hapin e parë në këtë drejtim. Mirëpo, synimi i saj final është që ta përsosë këtë dorëz ashtu që ajo të duket si një dorëz e zakonshme por, e cila përmes teknologjisë “bluetooth” të mund të lidhet me një telefon të mençur dhe ta përkthej gjuhën e shenjave në të folur.

     “Dëshira ime është që këtë ide ta zhvilloj dhe që kjo dorëz të prodhohet. Po ashtu, unë planifikoj që këtë shpikje timen ta shpërndajë falas në vendin tonë dhe në vendet përreth,” theksoi më tutje Raesa. Raesa, po ashtu, shpreson që kjo shpikje e saj të jetë një shtysë e fuqishme për të thyer mitin se vajzat janë më të buta dhe më delikate. Sipas saj, tani jemi në shekullin e XXI dhe femrat vërtetë janë të barabarta me meshkujt dhe nuk ka asnjë profesion në të cilin edhe femrat nuk mund të jenë të suksesshme. Prandaj, ajo u bën thirrje prindërve dhe sidomos nënave që të punojmë më shumë me emancipimin e vajzave dhe t’i mësojnë ato se vendi i tyre në jetë nuk është vetëm në kuzhinë. “Unë besoj se të gjithë ne mund të arrijmë gjithçka që duam nëse i përkushtohemi dhe tregojmë vullnetin e mjaftueshëm. Suksesi nuk ka të bëjë asgjë me atë nëse ne jemi vajza apo meshkuj apo se çfarë moshe e kemi. Suksesi përcaktohet vetëm nga puna dhe vullneti për të ecur përpara pa marrë parasysh pengesat në të cilat do të hasim” shtoi Raesa.

    Në fund, ajo u bëri thirrje që të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj dorëze të gjithë atyre që u pëlqen kjo ide e saj dhe që kanë mundësi ta bëjnë këtë, sepse bashkimi bën fuqinë.

RAESA GLOVE DEC 2017