“FOLGORE NO LIMITS” PER HERE TE PARE NE KOSOVE

06.06.18 12:10


Më 1 qershor 2018, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Kampin e KFOR-it “Villagio Italia” në qytetin piktoresk të Pejës, Grupi Luftarak Shumëkombësh Perëndim (MNBG-W) e mbajti Edicionin Ndërkombëtar të “Folgore No Limits” (Folgore Pa Kufij).

Ky aktivitet u zhvillua në partneritet me Organizatën Joqeveritare vendore “Handikos” dhe Qendrën Rajonale në Pejë të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Vetë motoja e aktivitetit të sivjetmë “Askush nuk mbetet mbrapa” e tregon më së miri qëllimin e këtij aktiviteti, gjegjësisht mbështetjen e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.

Ky ishte edicioni i pestë i “Folgore no Limits” por, në Kosovë ai u organizua për herë të parë. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 400 nxënës të shkollave nga: Peja, Gjakova, Istogu, Gllogjani, Klina dhe Deçani pa kurrfarë dallimi etnik apo fetar. Komandanti i MNBG-W, kolonel Ettore Gagliardi e theksoi rëndësinë e mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara përmes vlerave pozitive të sportit për të promovuar integrimin e këtyre personave në shoqëri pa kurrfarë pengesash apo kufizimesh.

Gjatë këtij aktiviteti fëmijët patën mundësinë që të luanin sporte të ndryshme volejboll, badminton, basketboll, futboll, pingpong, etj. Po ashtu nën vëzhgimin e pjesëtarëve të KFOR-it ata patën rastin që ti provonin edhe simulimet e aktiviteteve ushtarake si hedhja me parashutë. Më pas atyre të gjithëve iu shërbye dreka e përbashkët.

Që nga viti 2014 njësitë e Brigadës së Trupave Ajrore “Folgore” të Ushtrisë Italiane organizojnë aktivitetin “Folgore No Limits” përmes të cilit ata synojnë që t’i mbështesin personat me aftësi të kufizuara duke i promovuar përmes sportit vlerat e trupave ajrore si: aftësitë udhëheqëse, vullneti, përkushtimi, zemërgjerësia, këmbëngulësia, sakrifica dhe bashkëpunimi.

FOLGORE NO LIMITS 2018