DRAMA SPANJOLLE 48 ORE PARA FILLIMIT TE BOTERORIT NE RUSI

13.06.18 11:37


Vetëm pak më shumë se 24 orë para fillimit të Kampionatit Botëror në Rusi dhe dy ditë para ndeshjes vendimtare me Portugalinë, ekipi kombëtar i Spanjës është përfshirë në një krizë të papritur që i ngjan më shumë një seriali televiziv spanjoll se sa një prej favoritëve kryesor të botërorit të sivjetmë.

Burimi i kësaj krize ishte shpallja zyrtare e skuadrës së Real Madrid të cilët në një prononcim zyrtar informuan se kishin arritur me trajnerin aktual të kombëtares spanjolle Julen Lopetegui që të merr drejtimin e këtij klubi pas përfundimit të Kampionatit Botëror në Rusi. Ky ishte një zhvillim i papritur për të gjithë pasi që vetëm 21 ditë më parë Lopetegui kishte nënshkruar një kontratë të re me Federatën Spanjolle të Futbollit për të mbetur në krye të kombëtares deri në Kampionatin Evropian në vitin 2020.

Me sa duket ky lajm jo vetëm që i ka befasuar por edhe i ka hidhëruar udhëheqësit e Federatës Spanjolle pasi që sipas tyre ata u vunë në dijeni të marrëveshjes së Lopeteguit me ‘Los Blancos’ vetëm pak minuta para shpalljes zyrtare nga klubi madrilen. Sipas mediave të shumta spanjolle kryetari i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, është tejet i zemëruar dhe tejet i shqetësuar për këto veprime. Për këtë arsye ai menjëherë vendosi që të shkarkonte Lopeteguin nga posti i tij, përkundër se kanë mbetur vetëm pak orë nga hapja zyrtare e kampionatit në Rusi.

Në një deklaratë për mediat Rubiales citohet ët ketë thënë: “Ne kemi vendosur që ta shkarkojmë trajnerin e kombëtares. Suksesi ynë deri sa kemi arritur këtu në masë të madhe është meritë e tij dhe për këtë arsye ne duhet që ta falënderojmë atë dhe t’i urojmë sukses. Kombëtarja e Spanjës është ekipi i të gjithë spanjollve. Ne e morëm vesh vetëm pesë minuta më herët se ai do të shkonte tek Real Madrid. Ekzistojnë rregulla se si duhet të veprohet, vërtetë Julen ka bërë punë të mrekullueshme me skuadrën, mirëpo ne nuk mund të pranojmë se si ka vepruar ai në këtë rast.”

Mirëpo, drama për trajnerin e kombëtares spanjolle duket se nuk ka përfunduar me kaq. Sipas portalit ‘Football Espana’ dhe ‘Radio Marca’ një delegacion i lojtarëve të kombëtares i udhëhequr nga Sergio Ramos dhe Andres Iniesta kanë kërkuar një takim me Rubiales të cilit i kanë kërkuar që të tërheq vendimin e tij për shkarkimin e Lopeteguit për hir të qetësisë së ekipit kombëtar pasi që këto zhvillime mund të destabilizojnë një prej favoritëve kryesor për të fituar titullin e kampionit dhe rrjedhimisht t’i shkatërrojë shpresat e tyre për sukses ende pa filluar kampionati.

Gjithnjë sipas këtyre mediave nëse ky vendim nuk ndryshon atëherë gjasat janë që vendin e tij ta zënë trajneri i kombëtares spanjolle U21 Albert Celades dhe Fernando Hierro nga federata spanjolle, që të dy këta ish lojtarë të skuadrës së Real Madridit.

Pa marrë parasysh nëse Lopetegui do të rikthehet në pozitën e trajnerit të kombëtares apo jo një gjë është e sigurt: që nga marrja e kësaj pozite ai nuk e ka asnjë humbje me këtë skuadër. Bilanci i tij deri tani ishte 14 fitore dhe gjashtë barazime në 20 ndeshje.

 

 

JULEN LOPETEGUI