KROOS NUK KROSON POR GJUAN DHE SHENON

24.06.18 13:45


Momentet dramatike nuk kanë të mbaruar në botërorin e sivjetmë. Kësaj radhe ishte Gjermania ajo e cila vendosi që t’ua testonte zemrat tifozëve të saj. Pasi e mbylli pjesën e parë duke humbur 1:0 nga Suedia, kualifikimi i gjermanëve në fazën eliminatore varej në fije të perit. Në pjesën e dytë ata hynë të vendosur për të mos e përjetuar mallkimin e kampionëve në fuqi të botërorit, për të mos e kaluar fazën e grupeve.

Goli barazimit erdhi shumë shpejt që në minutën e 48-të të pjesës e dytë përmes Marco Reus. Mirëpo puna ishte vetëm gjysmë e përfunduar pasi Gjermani kishte nevojë për fitore. Shpresat e tyre për të kthyer rezultatin morën një goditje shumë të fortë pasi brenda dhjetë minutash (në minutat 71 dhe 82) qendërmbrojtësi Jerome Boateng i mori dy kartona të verdhë dhe Gjermania mbeti me vetëm 10 lojtarë në fushë.

Gjermanët i vazhduan përpjekjet e tyre për të shënuar golin e fitores dhe mungesa e një lojtari më pak nuk u vërejt fare. Ajo që u vërejt ishte mungesa e golit. Në fund të ndeshjes në sekondat e fundit të minutës së 95-të të kohës shtesë një goditje dënimi nuk dukej shumë premtuese për shkak të pozitës shumë në krah ku u shkaktua ndërhyrja. Mirëpo, Toni Kroos kishte plane të tjera. Me një gjuajtje perfekte ai shënoi një ndër golat më dramatik të këtij kampionati.

Kështu Gjermanët mund ta presin të qetë ndeshjen e tretë duke e ditur se fatin e kualifikimit e kanë në dorë të tyre. Në ndeshjen tjetër të këtij Grupi Meksika e shënoi fitoren e saj të dytë kundër Koresë së Jugut dhe në këtë mënyrë e siguroi kualifikimin në fazën e eliminimeve të drejtpërdrejta.

Në ndeshjen e tretë në program, siç edhe pritej Belgjika nuk e pati asnjë problem që të fitonte kundër Tunizisë. Rezultati përfundimtar ishte 5:2. Kjo do të thotë se edhe Belgjika tashmë e ka siguruar kalimin e fazës së grupeve ku pritet që t’i bashkëngjitet Anglia. Me sa duket, ndeshja e tretë në mes të Belgjikës dhe Anglisë jo vetëm do të përcaktojë renditjen përfundimtare por, edhe do të jetë testi i parë i vështirë në këtë botëror për të dyja këto kombëtare.

BOTERORI DITA 10