‘MALLKIMI’ I KAMPIONEVE VAZHDON

28.06.18 08:06


Kampioni botëror në fuqi, Gjermania është kombëtarja e katërt me radhë nga Evropa e cila si kampion në fuqi nuk arrin që të kalojë fazën e grupeve.

E para që e nisi këtë trend ishte Franca e cila pasi e fitoi titullin kampion në vitin 1998 në vitin 2002 u eliminua në fazën e grupeve. Pas tyre ishte Italia e cila pasi e fitoi titullin e kampionit në vitin 2002 në vitin 2006 u eliminua në fazën e grupeve. Spanja u shpall kampione në vitin 2010 dhe katër vite më vonë më 2014 u eliminua që në fazën e gupeve.

Gjermania u bë kombëtarja e katërt evropiane e cila e vazhdoi këtë trend të çuditshëm. Siç e dimë në vitin 2014, Gjermania u shpall kampione në botërorin e mbajtur në Brazil. Kurse, sivjet në Rusi ajo u eliminua që në fazën e grupeve. Për këtë u kujdes Koreja e Jugut e cila pas humbjeve në dy ndeshjet e para kundër Suedisë dhe Meksikës tashmë ishte eliminuar.

Kjo nuk i pengoi koreano-jugorët që t’ia prishnin festën edhe Gjermanisë e cila në këtë ndeshje hyri me shpresa të larta pas fitores dramatike kundër Suedisë. Ajo që ndodhi nuk e kishte pritur askush. Suedia, në mënyrë paksa befasuese fitoi kundër Meksikës me rezultatin 3:0 kurse, Gjermania humbi me rezultatin 2:0. Madje të dy golat Koreja i shënoi në kohën shtesë.

Këto rezultate e konfirmuan edhe më tej atë që ra në sy që nga ndeshjet e para në këtë botëror. Pa asnjë dyshim, zhvillimi taktik i lojës së futbollit ka përparuar aq shumë sa që nuk ka më ekipe favorite dhe kjo u pa edhe në Grupin D. Në këtë grup Argjentina rrezikoi shumë pas një barazimi dhe një humbjeje të thellë në dy ndeshjet e para. Për fatin e tyre të mirë Islanda nuk arriti që të shënonte fitore kundër Nigerisë gjë që do ta kishte vulosur fatin e Argjentinës që në ndeshjen e dytë.

Argjentina nuk e pati aspak të lehtë as në ndeshjen e tretë kundër Nigerisë, pasi që pas një starti shumë të mirë dhe golit të avantazhit të shënuar nga Lionel Messi, Nigeria e mori veten dhe e barazoi rezultatin në minutën e 51-të. Madje, Nigeria i pati disa raste shumë të mira për të kaluar edhe në avantazh. Për dallim nga Gjermania Argjentina arriti që të shënonte fitoren që i duhej pas golit të shënuar nga Marcos Rojo në minutën e 86-të.

Një tjetër arsye për këtë rrjedhë të ngjarjeve është edhe teknologjia VAR (Video Assistance Referee – Referi me Asistencë të Videos) e cila është duke u përdorur për herë të parë në botëror. Vetë numri rekord i penalltive të akorduara tregon se problemet me referimin të cilat e kanë munduar futbollin deri tani janë përmirësuar dukshëm. Madje në shumicën e rasteve këto penallti janë dhënë pas konsultimit të teknologjisë VAR. Për më tepër shumë prej këtyre penalltive kanë ardhur në momente dhe ndeshje kyçe si dhe në dëm të ekipeve të mëdha siç ishte rasti i golit të parë që Koreja e shënoi kundër Gjermanisë.

Fillimisht goli u anulua për pozitë jashtë loje pasi që autori i golit Kim Younggwon ishte më i avancuar se sa lojtarët gjerman. Mirëpo, ajo që gjyqtari kryesor i ndeshjes Mark Geiger nuk e kishte parë është se Kim e kishte pranuar topin nga një lojtar gjerman dhe rrjedhimisht goli i tij ishte i vlefshëm pasi që në këtë rast nuk ka pozitë jashtë loje. Gabimin e tij gjyqtari Geiger e përmirësoi pasi që u konsultua me teknologjinë VAR.

Në ndeshjet e tjera në Grupin E siç edhe pritej Brazili triumfoi 2:0 kundër Serbisë kurse Zvicra arriti të siguronte vetëm një barazim 2:2 kundër Kosta Rikës. Ndonëse zviceranët kaluan dy herë në avantazh vetëm që Kosta Rika të barazonte rezultatin. Interesante është se edhe Kosta Rika nuk kishte asnjë interes në lojën e tretë pas humbjeve në dy ndeshjet e para. Mirëpo, siç e thamë më herët me sa duket tema kryesore e këtij botërori është se NUK KA FAVORIT!

 

WORLD CUP GERMANY 2018