KOMPLETOHET MOZAIKU I TE TETES SE FINALES

29.06.18 06:53


Ndeshjet e djeshme e kompletuan mozaikun e të tetës së finales. Në Grupin H u kualifikuan Kolumbia dhe Japonia kurse në Grupin G siç edhe pritej u kualifikuan Belgjika dhe Anglia. Pas përfundimit të ndeshjeve të treta në këto dy grupe është mjaft e lehtë që të tregohet se cilat janë kombëtaret që u kualifikuan më tutje, mirëpo emocionet deri këtu sërish nuk munguan.

Mbase kombëtarja e Senegalit mund të quhet skuadra më e pafat në këtë botëror. Pas fitores kundër Polonisë dhe barazimit me Poloninë Senegalit i mjaftonte një pikë e vetme nga ndeshja me Kolumbinë, ose thënë ndryshe një barazim. Për fatin e tyre të keq Kolumbia e vazhdoi këndelljen e saj pas asaj humbjes befasuese nga Japonia në ndeshjen e parë.

Në anën tjetër Japonia pësoi humbje me rezultat minimal 1:0 nga Polonia e cila pas dy humbjeve rresht tashmë ishte jashtë botërorit. Kështu në fund të ditës Senegali përfundoi me pikë dhe golaverazh të njëjtë dhe me barazim në ndeshjen e tyre të drejtpërdrejt me Japoninë. Për të bërë dallimin në mes këtyre dy kombëtareve u desh të aplikohej rregulla e “Fair Play-it”. Kjo do të thotë se skuadra me më pak kartona të verdhë apo të kuq do të rangohej më lartë.

Dallimi në mes Japonisë dhe Senegalit ishin dy kartona të verdhë më shumë të akumuluar nga skuadra e Senegalit. Kështu, Senegali është kombëtarja e parë në histori e cila u eliminua nga botërori në bazë të këtij rregulli. Për më tepër, Senegali ishte kombëtarja e fundit afrikane në këtë botëror e cila deri vonë ishte e kualifikuar në të tetën e finales. Por, goli i Yerry Mina në minutën e 74-të ia siguroi kualifikimin Kolumbisë por, Senegalin e dënoi me përfundimin e fushatës së tyre në këtë botëror.

Gjithsesi Senegali mund të largohet me krenari nga Rusia pasi që treguan lojë shumë të bukur dhe e dëshmuan se futbolli në Afrikë është në një trajektore në ngritje.

Në grupin tjetër Adnan Januzaj ishte lojtari i ndeshjes në mes të Belgjikës dhe Anglisë pasi goli i tij e bëri dallimin në mes të këtyre kombëtareve. Kështu Belgjika përfundoi në vend të parë me nëntë pikë kurse Anglisë i mjaftuan 6 pikë dhe vendi i dytë në grup për të avancuar më tej.

Vendi i parë i siguroi Belgjikës një takim relativisht të lehtë kundër Japonisë. Mirëpo, shqetësimi i vërtetë për Belgjikën (apo edhe Japoninë) duhet të jetë se kundërshtari i saj në çerek finale do të jetë fituesi i ndeshjes në mes të Brazilit dhe Meksikës.

Anglia në të tetën e finales do të luaj kundër Kolumbisë kurse fituesi i kësaj ndeshjeje në çerek finale do të takohet me fituesin e ndeshjes në mes të Zvicrës dhe Suedisë.

Çiftet e të tetës së finales janë: Uruguai kundër Portugalisë, Franca kundër Argjentinës; Brazili kundër Meksikës; Belgjika kundër Japonisë, Spanja kundër Rusisë, Kroacia kundër Danimarkës, Suedia kundër Zvicrës dhe Kolumbia kundër Anglisë.

WORLD CUP JANUZAJ 2018