CRISTIANO RONALDO KALON TE JUVENTUS

11.07.18 07:22


Dje Franca e mundi Belgjikën me rezultatin 1:0 për ta siguruar kalimin në finalen e botërorit Rusi 2018. Mirëpo, sot lajmi kryesor është se pas nëntë vitesh dhe 16 trofeve Cristiano Ronaldo e mbylli aventurën e tij në Real Madrid për ta filluar një sfidë të re me Juventusin.

Vetëm një lojtar i kalibrit të Cristiano Ronaldo-së mund të hedh hijen e tij mbi një ndeshje kaq të rëndësishme siç ishte gjysmëfinalja në mes të Francës dhe Belgjikës. Madje, ai këtë e arriti në moshën 33 vjeçare.

Sipas raportimeve të mediave të ndryshme botërore Real Madridi pranoi që ta shiste Ronaldon për 112 milionë euro. Mirëpo, në total transferimi i Ronaldos do t’i kushtojë Juves së paku 232 milionë euro pasi që Ronaldo do të ketë një kontratë katërvjeçare në vlerë prej 30 milionë euro në vit.

Në një letër të hapur për tifozët e Realit, e cila është publikuar në faqen zyrtare të tashmë ish klubit të tij, Ronaldo theksoi se nëntë vitet e kaluara aty ishin më të lumturat në jetën e tij. Mirëpo, tani ka ardhur koha që ai të nisë një kapitull të ri në jetën e tij dhe për këtë arsye ai i ka kërkuar klubit që ta lejoj që të vazhdojë tutje.

Duke i shprehur falënderimet e tij më të sinqerta për klubin dhe për tifozët Ronaldo u kërkon në veçanti këtyre të fundit që të kenë mirëkuptim për këtë vendim të tijin.

Në lidhje me këtë transferim edhe Real Madridi e nxori një komunikatë zyrtare ku në mes të tjerash theksohet se ata e kanë pranuar ofertën e Juventusit në përputhje me dëshirën dhe kërkesën e Ronaldo-së.

Më tutje në këtë komunikatë thuhet se Cristiano Ronaldo do të jetë përgjithmonë një nga ikonat më të mëdha të Real Madridit dhe se ai do të paraqesë një figurë unike për gjeneratat e ardhshme. Komunikata mbyllet me pohimin se Real Madridi do të jetë shtëpia e tij përgjithmonë.

RONALDO - JUVENTUS