KOLONIA ARTISTIKE E ARTISTEVE TE RINJ NE FERIZAJ

11.09.18 10:46


     Në Galerinë e Arteve në Ferizaj është hapur ekspozita e pikturave “Koloni e Artit”, si rezultat i punimeve të përfunduara në kuadër të "Javës së KFOR-it". Artistët e rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në korrik të këtij viti kanë pasur mundësinë që të shoqërohen dhe të komunikojnë përmes gjuhës universale, gjuhës së artit, dhe si rezultat i kësaj shoqërie ata ekspozuan punimet që i mbaruan përgjatë kësaj kolonie.

    Gjatë bisedës që patëm me pjesëmarrësit e kësaj kolonie, artistë të ardhshëm, mësuam se ata ishin shumë të kënaqur me pjesëmarrjen në këtë koloni, sepse kjo iu kishte mundësuar atyre që të takohen me bashkëmoshatarët e tyre nga komunitetet e tjera, janë argëtuar si dhe kanë mësuar shumë gjëra të reja. “Kam bërë dy foto me miqtë e mi. Nëse vazhdojmë të punojmë së bashku me komunitetet e tjera, mund të jemi më të suksesshëm, të jetojmë një jetë më të lirë dhe më prosperuese. Porosia ime për të rinjtë që jetojnë në Kosovë është që të mos mbarojnë kurrë së ëndërruari, dhe të japin maksimumin për të realizuar ëndrrat e tyre," tha Ramiz Rrahmani, pjesëtar i komunitetit ashkali nga Ferizaj.

    Të njëjtin mendim e ndau edhe Magdalena Rusimovic nga Shtërpce: “Jam shumë e nderuar që jam pjesë e ekspozitës, më pëlqen të pikturoj, sepse në këtë mënyrë unë shpreh personalitetin dhe nevojat e mia, i harroj të gjitha dhe udhëtoj në një botë tjetër, në një botë më të mirë”. Jeton Lika, zyrtar për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komunitetit pranë OSBE-së, Qendra Rajonale e Gjilanit, tha se kjo ekspozitë tashmë është bërë tradicionale sepse po mbahet për të katërtin vit radhazi.

   "Të gjithë të rinjtë që kanë marrë pjesë, nga viti 2015, 2016, 2017, kanë dërguar një mesazh të mirë tek bashkëmoshatarët e tyre, kështu që numri i pjesëmarrësve nga viti në vit po rritet. Gjatë periudhës sa qëndrojnë bashkë, këta të rinj kanë mundësi që të punojnë në profesionin që ata e duan, të merren me arte si dhe të takohen dhe njihen me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat e tjera, nga komunitetet e tjera”, tha ndër të tjera z.Lika.

   Në këtë koloni multietnike të kulturës, morën pjesë të rinjtë shqiptarë, serbë, romë, ashkali dhe egjiptianë nga komuna e Shtërpcës, Novobërdës, dhe Ferizajt. Kolonia u mbajt në parkun "Liria" në Ferizaj.

KOLONIA E ARTIT - FERIZAJ