“HARDH FEST - 2018”

12.09.18 07:59


    “Me pamje kah vneshtat” ishte motoja e festivalit tashmë tradicional “Hardh Fest” në Rahovec. Drejtor artistik i këtij festivali, z.Gardalin Shtavica, theksoi se edicioni i sivjetmë u mbajt nga 7 deri më 9 shtator. Gjatë këtij edicioni të “Hardh Fest” janë mbajtur aktivitete të shumta duke filluar me hapjen zyrtare të vjeljes së rrushit për të vazhduar me shpalljen e verëtarit më të mirë, ekspozitën “Hardh Expo” të organizuar nga Nahit Veseli, garat në vjeljen dhe shtrydhjen e rrushit për 3 ditë rresht. Ky edicion pati edhe disa risi si: “Hardh Kids” gjegjësisht aktivitetet për fëmijë, “Hardh Treni” ose udhëtimi me tren nga qyteti deri në Konak, “Hardh Bike” ose vizitat e vreshtave me biçikleta. Më pas u organizua edhe një paradë e mekanizmave bujqësore, nga më të vjetrat e deri te ato më të rejat, nga qendra e qytetit deri ne konak. Në ditën e tretë të festivalit u mbajt ora poetike te muzeu i qytetit dhe në konak u shpall mbretëresha e rrushit.

    Krahas këtyre aktiviteteve gjatë tri netëve të festivalit u organizuan edhe koncerte muzikore me pjesëmarrje të artistëve vendor dhe atyre ndërkombëtar. Kështu në natën e parë koncerti u hap nga “All Star Rahoveci”, një grup ky i krijuar enkas për “Hardh Fest” nga muzikantë të këtij qyteti. Koncerti më pas vazhdoi me grupin “MadMan Choice” nga Suedia dhe grupin “Troja” nga Prishtina. Koncerti i mbrëmjes së parë u përmbyll nga “DJ Nouvabeats” nga Holanda.

   Koncerti i natës së dytë u hap nga grupi “Magnituda”, një grup lokal nga Rahoveci, më pas në skenë doli Eugen Bushpepa kurse koncerti u përmbyll me një paraqitje nga Kee Marcelo, ish anëtari i grupit të njohur suedez “Europe”. Nata e tretë ishte e rezervuar për promovimin e këngëtarëve të rinj.

   Duhet theksuar se i tërë festivali është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Rahovecit.

HARDH FEST 2018