LEGJENDA E MËNDAFSHIT

Mëndafshi është një prej materialeve më të çmuara për prodhimin e pëlhurave për veshje. Për më tepër, teknologjia për prodhimin e këtij materiali supozohet të jetë rreth 6000-7000 vjet e vjetër.

 

Duke qenë se është kaq e vjetër edhe faktet për zbulimin e saj bëjnë pjesë më shumë në sferën e legjendave se sa dëshmive të vërtetuara shkencore. Madje, ekzistojnë disa versione që e tregojnë se si është zbuluar mëndafshi. Më e besuara është legjenda se ky material u zbulua rastësisht në Kinë rreth 2700 vjet p.e.s. nga Si Ling-Chi (e njohur edhe si Xilingshi ose Lei-tzu), e cila ishte gruaja e Perandorit të Verdhë – Huang Di të Kinës.

 

Sipas legjendës Xilingshi ishte në kopshtin e saj duke i mbledhur disa fshikëza të larvave të krimbit të mëndafshit nga një pemë e dudit. Një prej këtyre fshikëzave i shpëtoi rastësisht nga dora dhe i ra në filxhanin e çajit. Uji i nxehtë i çajit e shthuri mbështjellësin e fshikëzës dhe e ktheu në një fill (pe) të gjatë i cili më pas u përdor për thurjen e pëlhurave të mëndafshit. Për këtë zbulim, Xilngshi u quajt Zonja e Mëndafshit si dhe Perëndesha e Prodhimit të Mëndafshit.

 

Sekreti për prodhimin e mëndafshit u ruajt nga kinezët mbi dymijë vjet, duke iu siguruar atyre monopolin për prodhimin e këtij materiali tejet të kërkuar në mbarë botën. Ky monopol çoi në një tregti fitimprurëse, ndërsa rruga nëpër të cilën transportohej kjo pëlhurë nga Kina në Romë u quajt Rruga e Mëndafshit. Kjo rrugë e madhe tregtare i bashkoi lindjen dhe perëndimin e asaj kohe dhe me plotë kuptimin e fjalës ishte një precedent historik, i cili me sa duket filloi me një fshikëz të vogël të krimbit të mëndafshit (Bobbyx Mori) dhe me një filxhan të çajit.

 

Në perëndim, teknika për prodhimin e mëndafshit arriti në vitin 552 të erës sonë, kur larvat e krimbit të mëndafshit iu dërguan perandorit Justinian të Bizantit.

 

Bobbyx Mori apo krimbi i mëndafshit, gjatë fazës së tretë të zhvillimit nga gjëndrat e pështymës tajit fibroinë, një proteinë në gjendje të lëngët, e cila në kontakt me ajrin ngurtësohet. Në fazën tjetër, krimbi i mëndafshit tajit sericinë, e cila e lidh fibroinën dhe në këtë mënyrë e krijon fillin (perin) e mëndafshit.

 

Kështu pra, mëndafshi është një prej fijeve të pëlhurave të rralla natyrore, por e cila përfitohet në mënyrë shumë të egër. Për t’i mbrojtur fijet e pëlhurës nga nxjerrja e larvës, fshikëzat futen në ujë të vluar ose ekspozohen në avull të nxehtë, gjë që e vret larvën e krimbit në fshikëz. Nga tërë ky proces fitohet mëndafshi i papërpunuar dhe varësisht nga proceset e mëtejme të përpunimit i dallojmë disa lloje të mëndafshit.

 

E kaluara na ka mësuar se ekzistojnë mënyra më pak agresive për nxjerrjen e fijeve të mëndafshit nga fshikëza, por ato nuk janë shumë të suksesshme. Sot, industria e mëndafshit i vret rreth 10 miliardë larva të krimbit të mëndafshit. Shkencëtarët janë duke punuar në një metodë të re, e cila e mundëson ndarjen e fijeve të mëndafshit të papërpunuar, por pa i vrarë larvat e krimbit në fshikëz pasi që larva e lënduar arrin në fazën e inkubacionit gjatë së cilës ajo rigjenerohet. Shkencëtarët e kanë gjetur një mënyrë ku përmes futjes së disa kimikateve në larvën e shëndoshë e nxisin këtë fazë në mënyrë që larva e krimbit të mëndafshit të shërohet pas nxjerrjes së fijeve të mëndafshit nga fshikëza.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE