1 QERSHORI DITA NDËRKOMBËTARE PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE

 

Sot është 1 qershori Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve. Në këtë ditë në shumë vende të botës organizohen aktivitete të ndryshme për fëmijë të cilat shërbejnë për vetëdijesimin e shoqërisë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Vitin që shkoi pas, por edhe sivjet, përhapja e pandemisë globale COVID-19 e ka reduktuar dukshëm numrin e aktiviteteve të organizuara.

 

Gjithsesi, ne nuk duhet të harrojmë se anekënd botës fëmijët vazhdojnë të jetojnë dhe të rriten në varfëri ekstreme si dhe të përballen me sfida shumë të rënda si kryerja e punëve të rënda, mungesa e qasjes në edukim, shkelja e të drejtave të tyre, etj.

 

Historia e shënimit të kësaj dite fillet e para i ka në vitin 1924 kur në Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve 1 qershori u caktua si dita në të cilën botës do t’i tërhiqej vëmendja për çështjet që i prekin fëmijët. Shtetet e përfaqësuara në këtë konferencë e pranuan që “njerëzimi ua ka borxh fëmijëve më të mirën që mund t’ua ofrojë.” Rrjedhimisht, në këtë konferencë u miratua edhe Deklarata e Gjenevës për të Drejtat e Fëmijës. Me këtë rast nevojat thelbësore të fëmijëve u përmblodhën në pesë pika:

 

  1. Fëmijës duhet t’i ofrohen gjërat e nevojshme për zhvillimin e tij normal, qofshin ato materiale apo shpirtërore;
  2. Fëmija i uritur duhet të ushqehet; fëmija i sëmurë duhet të trajtohet; fëmija që mbetet mbrapa duhet të ndihmohet; fëmija delikuent duhet të përmirësohet; fëmija jetim dhe i braktisur duhet të strehohet dhe të ndihmohet;
  3. Fëmija duhet te jetë i pari që ndihmohet në kohë të vështira;
  4. Fëmija duhet të jetë në pozitë për të fituar jetesën, dhe duhet të mbrohet nga çdo formë e eksploatimit;
  5. Fëmija duhet të rritet me vetëdijen që talentet e tij duhet të përkushtohen në shërbim të njerëzve të tjerë.

 

Më pas në vitin 1959, Kombet e Bashkuara e miratuan Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës, e cila bazohej në strukturën dhe përmbajtjen e Deklaratës së Gjenevës, dhe e cila e ritheksoi që “njerëzimi ua ka borxh fëmijëve më të mirën që mund t’ua ofrojë.” Deklarata e re, po ashtu i vendosi 10 parime për mbrojtjen e fëmijëve para dhe pas lindjes dhe i hodhi themelet për miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1989. Kjo e fundit është traktati ndërkombëtar për të drejtat e njeriut me miratimin më të shpejtë dhe më të gjerë në histori.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE