DITA BOTËRORE E VETËDIJESIMIT PËR AUTIZIMIN

Çdo vit më 2 prill shënohet Dita Botërore e Vetëdijesimit për Autizmin. Duke qenë se sot është dy prilli në vijim mund të lexoni porosinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

 

Në Ditën Botërore të Vetëdijesimit për Autizimin, ne i njohim dhe vlerësojmë të drejtat e personave të prekur nga autizmi. Sivjet, kjo ditë vjen në mes të një krize të shëndetit publik të paparë më herët – një krizë e cila i vendos personat me autizëm në rrezik të zhdrejtë si rezultat i korona virusit dhe ndikimit të tij në shoqëri.

 

Personat me autizëm, kanë të drejtë që të vendosin vetë, të jenë të pavarur dhe autonom, si dhe kanë të drejtë që të arsimohen dhe punësohen si të barabartë me të tjerët. Mirëpo, ndalimi i sistemeve dhe rrjeteve mbështetëse jetike si pasojë e COVID-19 i shton pengesat me të cilat duhet të përballen personat me autizëm në ushtrimin e këtyre të drejtave. Ne duhet që të sigurohemi se një ndërprerje afatgjatë si pasojë e gjendjes emergjente nuk do të rezultojë me regresin e të drejtave të personave me autizëm për të cilat organizatat e tyre përfaqësuese kanë punuar aq shumë për t’i arritur.

 

Të drejtat universale të njeriut, duke i përfshirë të drejtat e personave të prekur nga autizmi, nuk duhet të shkelen gjatë kësaj pandemie. Qeveritë janë përgjegjëse, që të sigurohen se reagimet e tyre i përfshijnë edhe personat me autizëm. Këta të fundit nuk duhet të përballen asnjëherë me diskriminim gjatë kërkimit të trajtimit mjekësor. Ata duhet të vazhdojnë që të kenë qasje në sistemet mbështetëse të nevojshme për të qëndruar në shtëpitë dhe komunitetet e tyre gjatë kohës së krizës, dhe jo të përballen me mundësinë e institucionalizimit të detyruar.

 

Ne të gjithë duhet të sigurohemi që nevojat e njerëzve që ndikohen në mënyrë të zhdrejtë nga COVID-19 të plotësohen në këtë periudhë të vështirë. Informacionet për masat parandaluese duhet të ofrohen në formate të qasshme. Ne, po ashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se gjatë zbatimit të mësimit online nga shkollat, nxënësit që mësojnë në mënyrë jo standarde mund të jenë në disavantazh. Po kjo vlen edhe për vendet e punës dhe punën nga shtëpia. Edhe në këto kohë të paparashikueshme, ne duhet të përkushtohemi që të konsultohemi me personat me nevoja të veçanta, dhe organizatat e tyre përfaqësuese, për t’u siguruar se mënyrat jo tradicionale të të punuarit, mësuarit dhe angazhimit me njëri-tjetrin, ashtu si edhe reagimi ynë global ndaj korona virusit, do të jenë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë njerëzit, duke i përfshirë personat e prekur nga autizmi.

 

Të drejtat e personave me autizëm duhet të merren parasysh gjatë formulimit të të gjitha reagimeve ndaj COVID-19. Në Ditën Ndërkombëtare të Vetëdijesimit për Autizimin, le të qëndrojmë të bashkuar, të mbështesim njërit-tjetrin dhe të shfaqim solidaritet me personat e prekur nga autizmi.

— António Guterres

 

Çka është autizmi?

 

Autizmi, apo çrregullimi i spektrit të autizmit (autism spectrum disorder – ASD), i referohet një game të gjerë të gjendjeve të karakterizuara nga sfidat me aftësitë shoqërore, sjelljet përsëritëse, të folurit dhe komunikimin jo verbal.

 

Është e ditur se nuk ekziston vetëm një lloj i autizmit por, disa nënlloje të tij, shumica prej të cilave janë të ndikuara nga një kombinim i faktorëve gjenetik dhe mjedisor. Duke qenë se autizmi është një çrregullimi spektrit, secili person me autizëm e ka një gamë të theksuar të pikave të forta dhe sfidave me të cilat përballen. Mënyrat se si personat e prekur nga autizmi mësojnë, mendojnë dhe i zgjedhin problemet mund të dallojë nga shkathtësia e nivelit të lartë deri te sfida shumë të mëdha. Disa njerëz me ASD mund të kenë nevojë për mbështetje të theksuar në jetën e tyre të përditshme, përderisa të tjerët mund të kenë nevojë për më pak mbështetje dhe në disa raste edhe të jetojnë tërësisht të pavarur.

 

Treguesit e autizmit zakonisht paraqiten deri në moshën 2 apo 3 vjeçare. Disa vonesa në zhvillim të ndërlidhura me autizmin mund të paraqiten edhe më herët, dhe shpesh mund të diagnostikohen deri në moshën 18 muajshe. Hulumtimet tregojnë se ndërhyrjet e hershme çojnë në rezultate pozitive më vonë në jetë për njerëzit me autizëm.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE