30 VJET MË VONË – LIVERPULI JANË KAMPION TË ANGLISË

Hera e fundit që Liverpuli e fitoi titullin Kampion i Anglisë ishte para tridhjetë vitesh. Kjo është një periudhë tejet e gjatë për tifozët e klubit, që deri atëherë konsiderohej si më i madhi i Anglisë. Sidoqoftë, mbrëmë pritjes së gjatë i erdhi fundi dhe jo vetëm kaq por, në rrugëtimin e tyre drejt titullit të kampionit kjo skuadër i theu edhe një sërë rekordesh duke e bërë fitoren e tyre edhe më të madhe.

 

Gjatë këtij sezoni Liverpuli e barazoi rekordin për 18 fitore rresht nga muaji tetor 2019 deri më 29 shkurt 2020. Ata e kanë fituar edhe çdo ndeshje në shtëpi (Anfield) duke e vendosur kështu një rekord prej 23 fitoreve. Ata, po ashtu, e kanë vendosur një rekord të ri të klubit duke i regjistruar 44 ndeshje pa humbje, një seri kjo që filloi që nga sezoni i kaluar.

 

Një rekord tjetër që pa dyshim e bën këtë titull edhe më të veçantë për të gjithë tifozët e Liverpulit është se ata arritën të shpalleshin kampionë kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u luajtur. Këtë nuk e ka arritur kurrë më parë asnjë klub tjetër anglez as në formatin e vjetër dhe as në formatin e ri të Premier League. Kujtojmë se dy gjigantët e Mançesterit, United në sezonin 2000-2001 dhe City në sezonin 2017-2018, i grumbulluan nga 100 pikë por titujt përkatës i fituan pesë javë para përfundimit të sezonit.

 

Kështu, Liverpuli, jo vetëm që e çon numrin total të titujve të fituar në 19 vetëm një më pak se 20 titujt e Manchester United por, edhe e rikthen në masë të madhe të drejtën për ta quajtur veten sërish klubi më i madh në Angli. Një epitet që United ua kishte marrë gjatë periudhës së tyre të lavdishme nën udhëheqjen e legjendarit Alex Ferguson.

 

Pesha e këtij titulli të kampionit rritet edhe më shumë kur e kemi parasysh se rivali kryesor i Liverpulit ishte skuadra e Manchester City, e cila nën udhëheqjen e Pep Guardiolës i ka blerë disa prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror.

 

Kështu pas tridhjetë vitesh, në një sezon surreal për shkak të pandemisë së COVID-19, Liverpuli nën udhëheqjen e Jurgen Klop shpallet Kampion i Anglisë. Kur e kemi parasysh se kjo është një skuadër shumë e re, tifozët e kësaj skuadre mbase me të drejtë mund të presin një tjetër periudhë dominimi në skenën e futbollit anglez dhe atij evropian.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE