Sot, më 8 prill, shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve – një ditë që e kremton kulturën, historinë dhe gjuhën rome, por edhe i kujton sfidat me të cilat ende përballet ky komunitet në mbarë botën.

 

Kjo ditë u shpall zyrtarisht në vitin 1990, gjatë Kongresit të 4-të Botëror të Romëve, në nder dhe kujtim të takimit të parë të madh ndërkombëtar të romëve që u mbajt nga 7 deri më 12 prill 1971 në qytezën Orpington pranë Londrës, në Mbretërinë e Bashkuar.

Në atë takim historik, u vendos që termi “Rom” (që në gjuhën rome do të thotë “njeri”) të jetë emërtimi ndërkombëtar për të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti. Gjithashtu, u zgjodh himni “Đelem, đelem” (“Kam udhëtuar, kam udhëtuar”) dhe flamuri rom: një flamur me dy ngjyra – kaltër dhe gjelbër – me një rrotë të kuqe në mes. E klatra e përfaqëson qiellin dhe lirinë, e gjelbra jetën dhe udhëtimin, ndërsa rrota e kuqe e simbolizon lëvizjen e vazhdueshme.

 

Qëllimi i kësaj dite është që të rrisë ndërgjegjësimin për gjendjen e vështirë të komunitetit rom, të cilët në shumë vende përballen me diskriminim dhe përjashtim shoqëror, dhe jetojnë në kushte të pafavorshme në krahasim me shumicën e popullsisë.