TRI MEDALE TË ARTA NË DY OLIMPIADA

 

Nuk ka dyshim se tema e kësaj vere ishin vajzat tona të arta, të cilat na sollën krenari dhe gëzim nga Lojërat Olimpike Tokio 2020. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e morën pishtarin nga e madhja Majlinda Kelmendi dhe e arritën atë që pak kush e ka menduar të mundur pas pranimit të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.

 

Majlinda, Distria dhe Nora tri ambasadore të arta

Pas pjesëmarrjes në dy Olimpiada, Kosova mund të krenohet me tri medalje të arta të fituara. Që të tria këto medalje janë fituar nga femrat dhe që tria në sportin e xhudos. Emrat e këtyre ambasadoreve të Kosovës nuk duan shumë prezantim pasi që ata tashmë janë shkruar me shkronja të arta në historinë e sportit të Kosovës. E para ishte Majlinda Kelmendi, e cila me fitoren e saj në vitin 2016, në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit, e hapi rrugën duke e dëshmuar se me punë dhe përkushtim çdo gjë është e mundur.

 

Sivjet, Majlinda, pas disa lëndimeve serioze, nuk ia arriti që të kapte majat e arritura në Rio, mirëpo atë që ajo e nisi atëherë e vazhduan sivjet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat e shtuan numrin e medaljeve të arta olimpike në gjithsejtë 3, pas fitoreve të tyre në peshën -48 kg respektivisht -57 kg. Madje edhe vet Nora Gjakova, pas fitores së saj e ritheksoi rëndësinë që e pati fitorja e Majlindës në Rio duke deklaruar: “Ajo e hapi rrugën për ne që të ëndërrojmë ëndrra të mëdha.”

 

Fitoret e Krasniqit dhe Gjakovës janë edhe me domethënëse pasi që ato u arritën në Japoni, në shtëpinë dhe vendlindjen e xhudos. Mirëpo, ç’ është edhe më e rëndësishme këto vajza të arta e vërtetuan edhe njëherë thënien se sportistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi, pasi që për fitoret e tyre historike shkruan të gjitha mediat e botës.

 

Driton Kuka – trajneri i tri kampioneve olimpike

Nuk ka dyshim se emrat e Majlindës, Distrisë dhe Norës do të përmenden edhe shumë gjatë dhe ato do të shërbejnë si modele për gjeneratat e reja. Mirëpo, historia dhe suksesi i tyre është i lidhur ngushtë me emrin e trajnerit tashmë legjendar Driton Kuka. Stërvitja e një kampioneje mund edhe të quhet rastësi ose përputhje e shumë rrethanave. Mirëpo, kur një trajner arrin që të përgatis jo një as dy por, tri kampione olimpike, atëherë kjo është dëshmi e pakundërshtueshme që këtu kemi të bëjmë me një trajner që e ka fitoren të mbrujtur në ADN-në e tij. Për më tepër, me punën e tij të palodhshme ai ia arrin që t’i “infektojë” edhe xhudistet dhe xhudistët e tij me këtë mendësi dhe mjeshtri.

 

Më e rëndësishmja është pjesëmarrja dhe jo fitorja

Tani që Lojërat Olimpike Tokio 2020 kanë përfunduar, me të drejtë, e tërë vëmendja publike dhe mediatike është përqendruar tek dy fitueset e medaljeve të arta. Mirëpo, do të ishte një padrejtësi nëse nuk i përgëzojmë edhe pjesën tjetër të sportistëve tonë olimpik të cilët ndonëse nuk fituan medalje vazhduan të vendosin rekorde të reja kombëtare dhe ta hapin rrugën për gjeneratat e sportistëve që do të vijnë pas tyre. Në mesin e tyre xhudisti Akil Gjakova u rendit i shtati në kategorinë -73 kg, notarja Eda Zeqiri e zuri vendin e 22-të në disiplinën 400 metra stil i lirë, notari Olt Kondirolli u radhit në vendin e 64- të në disiplinën 100 metra stil i lirë, kurse shenjëtari Drilon Ibrahimi doli i 46-ti në disiplinën 10 metra pushkë ajrore. Ne nuk na mbetet tjetër përpos që t’i përgëzojmë të gjithë sportistët tanë olimpik për sukseset e arritura. Pikë së pari duke e arritur kualifikimin për në Lojërat Olimpike dhe më pas duke e prezantuar vendin tonë denjësisht në skenën më të madhe të sportit dhe në fund duke u kthyer me medalje të arta. Ne dhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh do t’ju jemi mirënjohës përjetësisht.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE