SHFMU “SHABAN SHABANI” – LLOPUSHNIK

 

Në krahasim me shumicën e shkollave të tjera, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Shaban Shabani” në fshatin Llopushnik, në komunën e Dragashit, është mjaft e re pasi që u themelua në vitin 1971. Ajo, po ashtu, mund të konsiderohet edhe relativisht e vogël pasi që aktualisht i ka vetëm 500 nxënës. Përkundër kësaj, për shkak të terrenit malor krahas ndërtesës kryesore në Llopushnik kjo shkollë i ka edhe tri anekse të tjera në fshatrat Brezne, Buçë dhe Plavë. Gjithsesi, sa herë që komuna e Dragashit ka nevojë që të përfaqësohet diku atëherë kjo shkollë është ndër të parat në listë për ta fituar këtë të drejtë. Me këto fjalë e përmbledh shkurt punën e tyre drejtori Bahtijar Bojaxhiu. Më tej ai thekson, se institucioni që ai e drejton e dëshmon se puna serioze është garantuesi më i mirë i suksesit.

 

Shkolla e vogël me suksese të mëdha

 

“Ne jemi shumë të kënaqur me punën që zhvillohet këtu dhe këtë e mbështesin edhe rezultatet e arritura nga nxënësit tanë. Ne kemi marrë pjesë dy herë në kuizin televiziv ‘1, 2, 3 Fillo’. Në vitin 2014 ishim në gjysmëfinale, kurse, në vitin 2017 ne kemi arritur ta zënë vendin e parë në mesin e 35 shkollave pjesëmarrëse nga e tërë Kosova,” tha ndër të tjera z. Bojaxhiu. Ai më tutje e veçoi edhe pjesëmarrjen në Olimpiadën e zhvilluar në qytetin e Melkut në Austri. Atje shkolla u përfaqësua nga 8 nxënës të cilët garuan në disa disiplina sportive si: futboll, basketboll, atletikë, etj. Këto gara u organizuan për nxënësit shqiptar nga të gjitha vendet e Evropës. Sipas drejtorit Bojaxhiu të gjitha këto suksese janë rezultat i punës së arsimtarëve dhe nxënësve.
Mësimi tërë-ditor së shpejti realitet
Një tjetër synim në këtë shkollë është që të fillohet me mësimin tërë-ditor, pasi që në këtë mënyrë do të përmirësohet edhe më shumë cilësia e punës. Pengesa kryesore në këtë drejtim mbetet ndërtesa e vjetër dhe mungesa e hapësirës së mjaftueshme. Sidoqoftë, gjasat janë që shumë shpejt edhe ky synim të mund të realizohet duke qenë se tashmë është përfunduar ndërtimi i objektit të ri. E tëra që ka mbetur të bëhet është që ndërtesa e re të lidhet me sistemin elektrik, ujësjellësin dhe kanalizimin. “Mësimi tërë-ditor është synimi ynë dhe me lëshimin në punë të objektit të ri krahas 12 dhomave të mësimit në objektin aktual ne do t’i kemi edhe 15 dhoma të reja të mësimit. Kështu që, atëherë, ne jo vetëm që do të mund të punojmë në një ndërrim por do të mund t’i kemi edhe disa kabinete, duke filluar nga kabineti i informatikës për të cilin tashmë i kemi disa kompjuterë por, nuk kemi ku ti vendosim,” shtoi z. Bojaxhiu.

 

Rënia e numrit të nxënësve shqetësim serioz

 

Përkundër të gjitha sukseseve dhe punës së pakursyer një problem i theksuar me të cilin përballet kjo shkollë është rënia e numrit të nxënësve si pasojë e një sërë faktorësh. Padyshim, faktori kryesor në këtë drejtim është niveli i lartë i papunësisë në këto anë i cili i ka shtyrë shumë familje që të lëvizin drejt qendrave më të mëdha në kërkim të punës. Këtë e dëshmon edhe hapja e një fabrike për përpunimin e mishit në fshatin Plavë në të cilën janë punësuar shumë prej banorëve. Aty rënia e numrit të nxënësve është shumë e ulët. Kurse në fshatin Buçë që është fshat më malor dhe nuk ka punësim shumica e banorëve tashmë janë shpërngulur drejt qyteteve më të mëdha.
Në fund z. Bojaxhiu i porositi të gjithë të rinjtë që të angazhohen dhe të mësojnë sepse në këtë mënyrë do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten por, edhe për shoqërinë. Kurse ne si shoqëri, sipas tij, duhet të krijojmë kushte për investime në mënyrë që për familjet shpërngulja të mos mbetet si opsioni i vetëm për sukses.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE