CILA ËSHTË ORIGJINA E NOFKËS SË PARISIT – QYTETI I DRITAVE

 

Parisi ka shumë nofka – ‘Lutèce’, ‘Paname’, ‘Pantruche’ – mirëpo nofka e tij më e njohur në mbarë botën është Qyteti i Dritës. Sidoqoftë, shumica e njerëzve, gabimisht mendojnë që kjo nofkë e Parisit vjen për shkak të ndriçimit mahnitës të bulevardeve, urave dhe monumenteve të ndryshme të këtij qyteti.

 

Një qytet i ndriçuar si asnjë tjetër

Sot, në Paris ekzistojnë mbi 296 lokacione të ndriçuara, ku përfshihen hotelet dhe kishat, statujat dhe shatërvanët, ndërtesat dhe monumentet kombëtare, dhe nga 37 urat kryesore që gjenden në Paris, 33 prej tyre ndriçohen në tërësi çdo mbrëmje.

Ndriçimi i qytetit bëhet edhe më madhështor gjatë festave të fundvitit, kur 2,4 kilometra me drita zgjaten nga Place de la Concorde, një ndër sheshet kryesore të Parisit, deri te Harku (Porta) i Triumfit (Arc de Triomphe). Ky ndriçim bëhet edhe më shkëlqyes nga dekorimi me drita i 450 drunjve si dhe trotuarit përgjatë kësaj avenyje.

 

Sidoqoftë, fajtori kryesor për besimin gabuar të njerëzve për origjinën e nofkës Qyteti i Dritës, është simboli më i famshëm i Parisit – Kulla e Aifelit. Ky monument ndriçon si një fanar çdo natë pas ndezjes së ‘kurorës’ 40 kilometra të gjatë në të cilën ndriçojnë 20.000 poçe të dritës.

Cila është origjina e vërtetë e nofkës Qyteti i Dritës

Arsyeja e vërtetë për këtë nofkë të Parisit në fakt vjen nga shekulli i 17-të, kur mbreti Luigji i XIV, ndryshe i njohur si Luigji i Madh (Louis le Grand) ose Mbreti Diell (Roi Soleil), ishte në fron. Pas një periudhe të gjatë të luftimeve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme civile, mbreti ishte i vendosur që ta rivendoste besimin e popullit te ligji dhe rendi.

 

Më 15 mars 1667, Luigji i XIV e emëroi Gabriel Nicolas de la Reynie si Gjeneral Lejtnant të Policisë, dhe ia besoi atij detyrën që ta bënte Parisin më të sigurt gjatë natës. Krahas katërfishimit të numrit të policëve në qytet, një nga masat e tjera ishte edhe instalimi i më shumë dritave. Llambat u vendosën në pothuajse çdo rrugë kryesore dhe banorëve iu kërkua që t’i ndriçonin dritaret e tyre me kandila dhe llamba. Ideja ishte që t’iu pamundësohej kriminelëve që të shmangnin policinë duke u fshehur në rrugicat e errëta, dhe rrjedhimisht të ulej numri i krimeve. Që këtu, qyteti e mori nofkën La Ville-Lumière (Qyteti i Dritës).

 

Asokohe, Parisi ishte një nga qytetet e para evropiane që filloi të përdorte ndriçimin e rrugëve (ndriçimin publik), mirëpo nofka u përforcua edhe më shumë gjatë Epokës së Përndritjes (Iluminizmit) që pasoi më pas.

 

Ndonëse disa historian e datojnë Epokën e Përndritjes në mes të viteve 1715 (vitin që vdiq Mbreti Luigji i XIV) dhe vitit 1789 (fillimit të Revolucionit Francez), të tjerë thonë që kjo lëvizje ishte e pranishme në Paris që nga vitet 1620, kur filloi revolucioni shkencor.

 

Nga fundi i shekullit të 18-të deri në shekullin 19-të, Parisi u bë gjithnjë e më i njohur si qendra e arsimit dhe ideve në tërë Evropën, duke i frymëzuar poetët, filozofët, inxhinierët dhe shkencëtarët. Kështu pra, krahas ndriçimit publik, ky kontekst i shpikjeve dhe epokës së përndritjes ndihmoi në përforcimin simbolik të rëndësisë së Parisit si “Qyteti i Dritës”.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE