ÇKA DUHET TË BËNI QË TELEFONI I JUAJ ANDROID TË PUNOJ MË SHPEJT?

 

Nëse ju duket që performanca e telefonit tuaj android është ngadalësuar, nuk është e thënë që zgjidhja e vetme të jetë blerja e një telefoni të ri. Në vijim i gjeni disa këshilla praktike të cilat mund t’ia rikthejnë shpejtësinë telefonit tuaj pa pasur nevojë që të shpenzoni para për telefon të ri.

 

Pse ngadalësohen telefonat e mençur?

Mund të ketë shumë arsye pse një telefon i mençur fillon të ngadalësohet. Mirëpo, gjëja e parë që duhet të keni parasysh është se çdo telefon i mençur është një kompjuter në miniaturë. Rrjedhimisht, sikurse çdo kompjuter i zakonshëm, edhe telefonat e mençur vuajnë nga të njëjtat probleme sikurse:

 

  • Nisja e shumë programeve ose aplikacioneve njëherësh
  • Nxehtësia
  • Shfrytëzimi i sistemit operativ të vjetruar
  • Hapësira e kufizuar e memories
  • Bateria e vjetër

 

Duke i pasur parasysh problemet e sipërpërmendura tani mund të fillojmë të gjejmë mënyrën më të mirë për ta përshpejtuar telefonin tuaj android.

 

Përditësojeni sistemin tuaj operativ

Gjëja e parë që duhet të bëni për të siguruar parametrat më të mirë të mundshëm për funksionimin e pajisjes suaj është që të siguroheni që sistemi operativ i telefonit tuaj të jetë i përditësuar me versionin më të fundit. Kjo vlen edhe për aplikacionet e veçanta. gjithmonë sigurohuni që programet në telefonin tuaj të jenë të përditësuara.

 

Pastrojeni ekranin fillestar

Një gabim i shpeshtë që të gjithë përdoruesit e telefonave të mençur e bëjnë është vendosja e ikonave dhe shkurtesave të shumta në ekranin fillestar. Kjo kërkon që telefoni i juaj të dedikoj një pjesë të burimeve të veta për t’i mbajtur ato ikona, të cilat po ashtu ndërveprojnë vazhdimisht me rrjetin. Prandaj, pastrojeni ekranin tuaj fillestar duke i lënë në të vetëm disa ikona të programeve që i përdorni më së shpeshti.

 

Fikni animacionet

Ky është një trik i vjetër, të cilin besoj e dimë të gjithë. Animacionet janë shteruese shumë të mëdha të performancës së telefonit tuaj. Prandaj fikni ose reduktojini animacionet duke shkuar tek parametrat e programeve (aplikacioneve) tuaja dhe fikni animacionet si ndryshimi i madhësisë së dritareve dhe hapjes dhe mbylljes. Kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e punës së telefonit, përderisa fikja e animacioneve nuk do të shkaktojë ndonjë problem për ju.

 

Ndizeni kursimin e të dhënave (data saving)

Nëse dëshironi që ta përmirësoni shpejtësinë e lundrimit tuaj në internet, ndizeni ruajtjen e të dhënave në Chrome. Kursimi i të dhënave e zvogëlon madhësinë e elementeve si fotografitë dhe video incizimet përpara se ti shikoni ato. Kjo ndihmon edhe në përshpejtimin e leximit të faqeve.

 

Pastrojeni memorien tuaj kesh (cash)

Një nga opsionet më të njohura për përmirësimin e përvojës suaj si përdorues është pastrimi ose fshirja e memories kesh. Në këtë mënyrë kjo hapësirë, të cilën pajisja e juaj e shfrytëzon për të ruajtur të dhënat nga përdorimi i juaj i mëhershëm, tani mund të përdoret nga pajisja e juaj për të ruajtur të dhënat për veprimet që doni t’i kryeni tani. Ju po ashtu mund t’i rregulloni parametrat e memories kesh për aplikacionet e veçanta.

 

Fikeni ndihmësin e Google (Google Assistant)

Ndihmësi i Google nganjëherë e ngarkon telefonin tuaj sepse ai punon gjatë tërë kohës në prapavijë. Këtë mund ta ndaloni duke e pamundësuar punën e ndihmësit Google në prapavijë. Për ta bërë këtë shkoni tek ‘Settings’ klikojeni ndihmësin Google dhe fikni opsionet Hei Google dhe Voice Match.

 

Këto janë vetëm disa mënyra se si mund ta përmirësoni performancën e telefonit tuaj të mençur. E përbashkëta e tyre është se ato të gjitha janë të sigurta për pajisjen tuaj. Sigurisht, ka edhe shumë mënyra të tjera si instalimi i Custom ROM, por në të gjitha këto raste nëse gaboni mund ta prishni telefonin tuaj përgjithmonë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE