ÇKA DUHET TË DINI PËR SIGURINË KIBERNETIKE?

 

Nëse përdorimi i teknologjisë nga brezat e rinj ishte telashe para COVID-19, tani teknologjia është bërë më e përhapur dhe në të njëjtën kohë është bërë domosdoshmëri. Ndërsa shumica e aktiviteteve tona u zhvendosën online, posaçërisht aktivitetet shkollore, shoqërisë iu desh që të përshtatet dhe të sigurojë kompjuterë, telefona inteligjentë, tableta e çka jo, të gjithë të rinjve të moshës shkollore për nevojat e tyre arsimore. Sidoqoftë, me këto privilegje të reja lidhur me përdorimin e pajisjeve teknologjike, vijnë edhe përgjegjësi të reja.

 

Është fakt se gjimnazistët sot janë më të njohur me teknologji sesa të rriturit, por ajo që u mungon, është vëmendja ndaj sigurisë kibernetike. Kjo vjen kryesisht për shkak të moshës së tyre rinore dhe mungesës së njohurisë së mjaftueshme se çka është siguria kibernetike dhe pse është e rëndësishme?

 

Çka është siguria kibernetike?

Ekspertët e sigurisë kibernetike e përkufizojnë sigurinë kibernetike si praktikën e mbrojtjes së sistemeve, rrjeteve dhe programeve nga sulmet kibernetike digjitale. Këto sulme kibernetike zakonisht synojnë qasjen, ndryshimin ose shkatërrimin e informatave të ndjeshme, zhvatjen e parave nga përdoruesit ose ndërprerjen e proceseve normale të punës. Këta ekspertë gjithashtu theksojnë se zbatimi i masave efektive të sigurisë kibernetike është veçanërisht sfidues sepse sot ka më shumë pajisje sesa njerëz, dhe sulmuesit po bëhen më inovativ.

 

Çka ka të bëjë siguria kibernetike dhe pse është e rëndësishme?

Ekspertët udhëheqës në këtë fushë, u përkujtojnë të gjithëve se siguria kibernetike është e rëndësishme, sepse në botën e sotme të ndërlidhur, një sulm i sigurisë kibernetike mund të rezultojë në gjithçka, nga vjedhja e identitetit, te përpjekjet për zhvatje, e deri në humbjen e të dhënave të rëndësishme, siç janë fotot e familjes, informatat e biznesit dhe të kompanisë.

 

Përveç kësaj, të gjithë mbështeten në infrastrukturën kritike, siç janë centralet energjetike, spitalet dhe kompanitë e shërbimeve financiare. Sigurimi i këtyre dhe i organizatave tjera është thelbësor për ta ruajtur funksionimin e shoqërisë sonë. Sipas ekspertëve, një nga tiparet kryesore të qasjes së suksesshme të sigurisë kibernetike është siguria me shtresa të shumta të mbrojtjes, të shpërndara nëpër kompjuterë, rrjete, programe ose të dhëna të cilat dëshirojmë t’i mbajmë të sigurta.

 

Brenda organizatës, njerëzit, proceset dhe teknologjia duhet ta plotësojnë njëri-tjetrin për të krijuar një mbrojtje efektive ndaj sulmeve kibernetike. Me fjalë të tjera, përdoruesit duhet t’i kuptojnë dhe t’i respektojnë parimet themelore të sigurisë së të dhënave, siç është fjalëkalimi i fortë, kujdesi ndaj bashkëngjitjeve në email dhe ruajtja e kopjes së të dhënave. Ndërsa teknologjia (pajisjet fundore, siç janë kompjuterët, pajisjet inteligjente, ruterët, rrjetet dhe ‘cloud’) duhet të mbrohen duke përdorur ‘firewall’ të gjeneratës së re, filtrimin DNS, mbrojtjen nga maluerët, programin antivirus dhe solucionet e sigurisë së e-mailit.

 

Llojet e kërcënimeve të sigurisë kibernetike

Phishing – është praktika e dërgimit të e-mailit mashtrues që i ngjan ndonjë e-maili nga burimet e njohura. Synohet vjedhja e të dhënave të ndjeshme, siç janë numrat e kartave të kreditit dhe informatat për kyçje. Ky është lloji më i rëndomtë i sulmeve kibernetike. Mund të ndihmoni në mbrojtjen nga ky lloj i sulmit përmes fitimit të njohurive ose përmes ndonjë solucioni teknologjik që i filtron email-et qëllimkëqija.

 

Ransomueri – është një lloj softueri dashakeq. Ai është krijuar për të zhvatur të holla duke e bllokuar qasjen në dosje ose në sistemin kompjuterik derisa të paguhet haraçi. Pagesa e haraçit nuk garanton që dosjet do të rikuperohen ose që sistemi do të restaurohet.

 

Malueri – është një lloj softueri i krijuar për të fituar qasje të paautorizuar ose për të shkaktuar dëme në një kompjuter.

 

Inxhinieria sociale – është një taktikë që kundërshtarët e përdorin për t’ju mashtruar në zbulimin e informatave të ndjeshme. Ata mund të synojnë ndonjë pagesë monetare ose të futen në të dhënat tuaja konfidenciale. Inxhinieria sociale mund të kombinohet me ndonjë nga kërcënimet e renditura më sipër për t’ju shtyrë që të klikoni në linqe, të shkarkoni maluer ose t’i besoni një burimi dashakeq.

 

Bëhu i mençur dhe mbroje sigurinë, sigurinë kibernetike!

Ndërsa shumë njerëz mendojnë se të rinjtë i përdorin pajisjet e tyre kryesisht për video-lojëra dhe rrjete sociale, realiteti sot është se ata e përdorin teknologjinë për të mësuar aq sa edhe për argëtim. Kjo është një arsye shtesë pse ata duhet t’i sigurojnë pajisjet dhe informatat e tyre, të sillen si duhet në mediat sociale dhe pajisjet e përbashkëta dhe ta respektojnë privatësinë digjitale të të tjerëve në pajisje dhe në internet. Mbi të gjitha, suksesi nga shumica e sulmeve kibernetike buron nga gabimet ose pakujdesia jonë. Prandaj, është e domosdoshme që të filloni t’i kushtoni vëmendje sigurisë kibernetike duke i mësuar parimet dhe gjithmonë duke i zbatuar ato parime në të gjitha pajisjet tuaja.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE