ÇKA DUHET TË DINI RRETH VAKSINAVE KUNDËR COVID-19?

 

Padyshim që një ndër temat kryesore sivjet do të jenë vaksinat kundër COVID-19. Që nga publikimi i lajmeve për prodhimin e vaksinave të para, reagimet nëpër botë ishin të ndryshme nga gëzimi e deri tek lindja e teorive konspirative. Prandaj, në vijim ju ftojmë që të lexoni disa prej informacioneve bazë që duhet t’i dini rreth këtyre vaksinave dhe rolit të tyre në luftën kundër COVID-19.

 

Kur flitet për këto vaksina, gjëja e parë që duhet të keni parasysh është se krahas testimeve efektive dhe masave ekzistuese parandaluese, vaksinat janë jetike për të vënë nën kontroll këtë pandemi. Kjo edhe është arsyeja pse u pritën me aq entuziazëm lajmet për fillimin e prodhimit të vaksinave të para të miratuara nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, ndonëse kemi ende shumë rrugë për të bërë deri në tejkalimin e plotë të kësaj krize globale.

 

Kur do të jenë gati vaksinat kundër COVID-19?

Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efikase kërkon kohë, mirëpo falë investimeve të jashtëzakonshme në studimin dhe zhvillimin e tyre si dhe falë bashkëpunimit global, shkencëtarët kanë arritur që të zhvillojnë një vaksinë kundër COVID-19 në afat rekord.

 

Në dhjetor të vitit të kaluar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e regjistroi vaksinën Pfizer/BioNTech COVID-19 mRNA (BNT162b2) për përdorim emergjent, duke e bërë atë vaksinën e parë me miratim emergjent nga OBSH që nga shpërthimi i pandemisë. Në anën tjetër, po gjatë muajit dhjetor, Agjencia Evropiane e Ilaçeve (European Medicines Agency – EMA) e ka rekomanduar dhënien e autorizimit të kushtëzuar për tregtim për dy vaksina kundër COVID-19, përkatësisht për vaksinën Pfizer/BioNTech COVID-19 mRNA dhe për vaksinën Moderna.

 

Duhet shtuar se aktualisht janë në zhvillim e sipër edhe 200 vaksina potenciale, madje një numër i tyre janë në prova klinike.

 

Si zhvillohen vaksinat kundër COVID-19?

Vaksinat veprojnë duke imituar një agjent infektues – virus, baktere apo mikroorganizëm tjetër që mund të shkaktojë një sëmundje. Në këtë mënyrë ato e mësojnë sistemin tonë të imunitetit që të përgjigjet shpejt dhe me efikasitet kundër tyre.

 

Tradicionalisht, vaksinat e kanë bërë këtë duke futur në trupin tonë një formë të dobësuar të agjentit infektues për t’ia mundësuar sistemit tonë të imunitetit që ta mbajë mend atë. Në këtë mënyrë, sistemi ynë i imunitetit mund ta njehë shpejt infektimin në fjalë dhe ta luftojë atë përpara se të sëmuremi. Disa prej vaksinave potenciale kundër COVID-19 janë dizajnuar sipas kësaj metode.

 

Disa vaksina të tjera, që janë duke u zhvilluar, përdorin qasje të reja në bazë të atyre që quhen vaksina RNA apo DNA. Tek këto vaksina, në vend të futjes së antigjenëve (një substancë që e bën trupin tonë që të krijojë antitrupat), vaksinat RNA dhe DNA ia japin trupit tonë kodin gjenetik që i nevojitet sistemit të imunitetit për të prodhuar vet antigjenin. Për më shumë informata për zhvillimin e vaksinave të COVID-19 vizitoni faqen e OBSH dhe EMA.

 

Kur do të jenë të sigurta vaksinat kundër COVID-19?

Në shkallë globale, OBSH i koordinon një numër të autoriteteve të pavarura teknike të cilat e mbikëqyrin sigurinë e vaksinave përpara dhe madje edhe pasi që ato jenë futur në përdorim. Vaksinat e miratuara nga OBSH u janë nënshtruar testeve dhe provave klinike të rrepta për të dëshmuar sigurinë dhe efikasitetin e tyre kundër sëmundjeve.

 

Autorizimi i kushtëzuar për tregtim që jepet nga EMA, nënkupton që ky autorizim është i vlefshëm për një vit, përderisa bartësi i këtij autorizimi duhet të përmbush obligime specifike në afate të caktuara kohore. Këto obligime mund të përfshijnë kryerjen e studimeve të vazhdueshme dhe të reja apo mbledhjen e të dhënave për të dëshmuar se baraspesha në mes të dobisë dhe rrezikut mbetet pozitive. Me fjalë të tjera, vaksinat në fjalë do të vazhdojnë të jenë në mbikëqyrjen e rreptë të EMA.

 

Kush do të ketë qasje në këto vaksina?

Synimi aktual është që deri në fund të vitit 2021 të prodhohen 2 miliardë doza të vaksinave. Ato do të duhej të mjaftonin për të mbrojtur punëtorët shëndetësor dhe ata të kujdesit social si mësimdhënësit si dhe ata që janë më të rrezikuarit nga COVID-19 në të gjitha vendet e botës. Kjo do të jetë një arritje e jashtëzakonshme, mirëpo në të njëjtën kohë ky numër i dozave nuk do të jetë i mjaftueshëm. Prandaj, do të jetë e rëndësishme që të vazhdohet me marrjen e masave të tjera mbrojtëse për të mbrojtur veten dhe familjet e juaja. Gjegjësisht, të gjithë ne duhet që të vazhdojmë të mbajmë distancën fizike, të mbajmë higjienën dhe të bartim maska.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE