ÇKA ËSHTË HALUCINACIONI?

 

Sigurisht keni dëgjuar për të, por a e keni vrarë ndonjë mendjen se çka është në të vërtetë halucinacioni dhe çfarë e shkakton atë? Halucinacioni është perceptimi i tingujve, aromave ose efekteve vizuale të cilat paraqiten pa ndonjë stimul të veçantë, por që në të vërtetë nuk janë të pranishme (të vërteta). Halucinacionet mund të shkaktohen nga disa faktorë të ndryshëm ku më të shpeshtit janë narkotikët, ëndrrat ose sëmundjet neurologjike. Për shembull, në rastin e halucinacioneve të zërave, personi që i përjeton ato pohon që i dëgjon zërat e personave të vdekur ose krijesave jo reale apo mitologjike. Vetë fjala halucinacion rrjedh nga fjala latine “alucinari” që do të thotë “shëtitje me mendje”.

 

Cilat janë llojet e halucinacioneve?

Ekzistojnë lloje të ndryshme të halucinacioneve, varësisht nga shkaktarët e tyre. më së shpeshti ato shkaktohen nga drogat apo nga ethet. Ato mund të paraqiten edhe si pasojë e sëmundjeve të rënda ose çrregullimeve psikologjike sikurse është skizofrenia.

 

Halucinacionet vizuale

Një numër i madh i halucinacioneve vizuale, vijnë si pasojë e çrregullimit të njohur si Dysmegalopsia, me ç’ rast personi i përjeton gjërat më rëndë ose më lehtë se sa ato në të vërtetë janë. Pastaj, i kemi edhe halucinacionet Chromatopsia, si pasojë e të cilave personi e sheh gjithçka në ngjyrë të njëjtë. Në rastin e halucinacioneve Brobdingnagian, njerëzit duken sikur gjigandë, kurse në rastin e halucinacioneve Liliputian, njerëzit duken më të vegjël se sa janë, dhe kështu me radhë. Gjithsesi, halucinacioni më i famshëm është ai që njihet si fatamorganë, e cila si karakteristikë kryesore e ka që paraqitet në situata të pazakonshme dhe i reflekton dëshirat e realizuara.

 

Halucinacionet dëgjimore

Halucinacionet mund të përjetohen edhe nga shqisat e tjera sikurse dëgjimi. Këto të fundit janë tipike në rastet e personave që vuajnë nga skizofrenia dhe si pasojë e tyre personat në fjalë dëgjojnë zëra të ndryshëm. Ata shpesh bisedojnë me këta zëra e madje edhe tentojnë që të përballen fizikisht me ata.

 

Halucinacionet e prekjes

Një tjetër shqisë përmes së cilës mund të përjetojmë halucinacione është ajo e prekjes. Në këtë lloj të halucinacioneve personat e përjetojnë ndjenjën se nëpër lëkurën e tyre janë duke iu lëvizur insekte të ndryshme. Tash e sa kohë psikologët dhe ekspertët e fushës e kanë studiuar natyrën e tyre. një prej teorive të tyre është që ky lloj i halucinacioneve shkaktohet nga një lloj i mos baraspeshës kimike në trup, sepse studimet e kanë vërtetuar se gjatë halucinacionit, në pjesë të caktuara të trurit zhvillohen procese të ndryshme kimike.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE