Edicioni i 97-të i Çmimeve të Akademisë të njohura shkurt si “Oskar” u mbajt në orët e hershme të ditës së hënë sipas kohës tonë. Si zakonisht kjo ceremoni u zhvillua në Teatrin Dolby në Los Angjeles, dhe ajo do të mbahet mend si një mbrëmje e fitoreve historike dhe momenteve të paharrueshme. Conan O’Brien ishte nikoqiri i kësaj mbrëmjeje magjike në të cilën filmi Anora i Sean Baker u shpërblye me çmime të shumëfishta, ndërsa Adrien Brody pas dy dekadash e fitoi për herë të dytë çmimin për aktorin më të mirë në rol kryesor.
Fituesit më të mëdhenj të mbrëmjes
🏆 Filmi më i mirë: Anora (me regji të Sean Baker)
🎭 Regjisori më i mirë: Sean Baker (Anora) – Sean Baker fitoi edhe në dy kategori të tjera: Skenarin origjinal më të mirë dhe Editimin filmik më të mirë. Kështu, Baker e barazoi rekordin e Walt Disney me katër Oskar të fituar në një mbrëmje.
🎤 Aktori më i mirë: Adrien Brody (The Brutalist) – Ky është Oskar i dytë për të, pasi që dy dekada më parë ai u nderua me këtë çmim për rolin e tij në filmin The Pianist (2003).
🌟 Aktorja më e mirë: Mikey Madison (Anora)
🎭 Aktori mbështetës më i mirë: Kieran Culkin (A Real Pain)
🎭 Aktorja mbështetëse më e mirë: Zoe Saldana (Emilia Pérez)
Adrien Brody bëhet pjesë e elitës së klubit të aktorëve me dy çmime të fituara
Pa dyshim një prej momenteve më kulmuese të mbrëmjes ishte momenti kur Adrien Brody u shpall fitues në kategorinë e aktorit më të mirë për paraqitjen e tij në filmin The Brutalist. Kjo, pasi që me këtë rast ai u bë pjesë e një klubi elitar të aktorëve që e kanë fituar këtë çmim më shumë se një herë. Çmimin e parë Brody e fitoi kur ishte vetëm 29 vjeçar për rolin e tij në filmin The Pianist.
Filmi Anora i Sean Baker hyn në hstori
Anora, një dramë mbërthyese ishte fituesi më i madh në këtë mbrëmje. Kjo pasi që Sean Baker u nderua me çmimet e kategorive më të rëndësishme të mbrëmjes ku përfshihen: Filmi më i mirë, Regjisori më i mirë, Skenari origjinal më i mirë dhe Editimi filmik më i mirë. Kështu Baker e mbylli mbrëmjen vetëm si prodhuesi i dytë i filmave që u nderua me katër çmime në një ceremoni. Para tij këtë e kishte arritur vetëm legjenda e kinemasë Walt Disney.
Momente të tjera të dalluara
Timothée Chalamet u pa teksa ngushëllohej nga Kylie Jenner dhe e ëma e tij pasi që u bë e ditur se ai nuk ishte fitues në kategorinë e Aktorit më të mirë.
Segmenti “In Memoriam” nxiti debate të shumta pasi që fansat e cekën se emrat e disa figurave të Hollivudit nuk u nderuan në këtë segment.
Gjithsesi falë performancave të dalluara, fitoreve historike dhe disa momenteve përplot emocione Çmimet Oskar 2025 rezultuan në një mbrëmje të paharrueshme në nder të kinemasë.