DITA E DYTË E ÇIKLIZMIT PËR DOWN SYNDROME

Sot është e premte! Kjo do të thotë se para nesh e kemi fundjavën dhe sipas parashikimit, do të kemi mot shumë të mirë me temperaturat që do të arrijnë deri në 20 gradë celsius. Nëse nuk e keni ndonjë plan të veçantë dhe jeni duke menduar se si ta kaloni kohën tuaj në mënyrë sa më produktive, atëherë Dita e Dytë e Çiklizmit për Down Syndrome është aktiviteti i përsosur për ju.

 

Aktiviteti në fjalë organizohet nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) me mbështetje nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. Nëse vendosni që të merrni pjesë, mos harroni se ai do të mbahet ditën e shtunë në Parkun Nacional të Gërmisë me fillim nga ora 11:00. Vlen të theksohet fakti se me pjesëmarrjen tuaj përpos që do ta mbështesni një kauzë pozitive ju do të kaloni një ditë përplot me argëtim dhe lojëra bashkë me fëmijët e Down Syndrome Kosova dhe të pranishmit e tjerë.

 

Për mbarëvajtjen e kësaj dite do të kujdesen katër trajnerët e projektit “Çiklizëm për Down Syndrome” dhe vullnetarët e QHPSM. Po ashtu, organizatorët porosisin se i tërë aktiviteti do të organizohet në përputhshmëri me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për COVID-19. Prandaj mos hezitoni nxirrini biçikletat e juaja dhe bëhuni pjesë e Ditës së Dytë të Çiklizmit për Down Syndrome.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE