EDHE RRIQRAT I GËZOHEN MOTIT TË NXEHTË

 

Gjatë pranverës dhe verës, motin e ngrohtë e shijojnë po aq sa ne edhe rriqrat. Këto kafshë të ngjashme me merimangat, janë parazitë që ushqehen me gjakun e kafshëve dhe njerëzve. Ata gjenden pothuajse çdo kund, nga hijet e pemëve e deri te lëndinat me bar. Ata kalojnë lehtë nga një organizëm në tjetrin dhe nuk shkaktojnë vetëm parehati, por mund të shkaktojnë edhe sëmundje të rënda. Tek ne, sezoni i rriqrave fillon në mars dhe përfundon diku kah tetori, ndërsa sëmundjet më të shpeshta që mund të shkaktohen nga rriqrat janë sëmundja e Llajmit (Lyme), babesioza dhe anaplazmoza, gjatë viteve të fundit dihet se në disa zona të caktuara rriqrat janë bartës edhe të etheve hemorragjike.

 

Sëmundja e Llajmit – është sëmundja më e famshme që transmetohet nga rriqrat dhe ajo i prek qentë dhe njerëzit. Kjo sëmundje shkaktohet nga bakteri Borrelia Burgdorferi. Disa prej simptomave të kësaj sëmundjeje janë skuqja e lëkurës, ekzema, rritja e temperaturës, plogështia, dhimbjet e nyjeve… Nëse gjithçka zbulohet dhe trajtohet në kohë kjo sëmundje është e shërueshme, mirëpo nëse nuk trajtohet pasojat mund të jenë shumë të rënda.

 

Babesioza – është shpesh sëmundje e qenve. Kjo sëmundje karakterizohet me ethe, plogështi, mukozë të zbehtë, depresion, nyje limfatike të fryra dhe zmadhimi i shpretkës… Nëse nuk trajtohet kjo sëmundje është vdekjeprurëse.

 

Anaplazmoza – është një sëmundje bakteriale e cila i sulmon pllakat e gjakut dhe shkakton dhimbje në nyje, letargji, temperaturë të lartë, gjakderdhje nga hunda, hematoma në trup, por edhe sulme të ngjashme me sulmet epileptike.

 

Ekspertët theksojnë që është me rëndësi të kuptohet se jo çdo rriqër është i infektuar, mirëpo gjithsesi duhet të tregohemi të vëmendshëm deri në dy javë pas pickimit nga rriqra. Nëse vjen deri te paraqitja e çfarëdo simptomave duhet të paraqitemi menjëherë te mjeku ose veterinari. Po ashtu, rriqrat janë arsyeja pse ekspertët këshillojnë që kur dalim në natyrë të veshim pantallona dhe rroba me mëngë të gjata kurse për qenin tuaj manar të përdorni sprej apo qafore.

 

Gjithsesi, nëse e zbuloni që juve ose qenit tuaj i është ngjitur ndonjë rriqër, atëherë mos provoni që të hidhni në të benzinë, vaj apo ndonjë lëng tjetër. Heqja e këtyre parazitëve duhet të lihet gjithmonë në dorë të specialistëve – mjekëve ose veterinarëve. Shumica e infektimeve transmetohen pikërisht gjatë tentimit për heqjen e tyre. Në rast që ndodh se e keni hequr rriqrën vet, atëherë atë duhet ta dërgoni për analiza për të parë nëse është bartës i ndonjë infeksioni. Po ashtu, duhet të përcillni vendin e pickimit për shenja të skuqjes, ekzemave dhe të tjera.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE