Dje, saktësisht në orën 14:43, në vendin tonë filloi zyrtarisht vjeshta. Me fjalë të tjera, dje ishte dita e parë e vjeshtës 2024 në hemisferën veriore, që njihet si ekuinoksi vjeshtor. Kujtoni se përderisa në hemisferën tonë kjo ishte dita e parë e vjeshtës, në hemisferën jugore ishte dita e parë e pranverës.

 

Çfarë është ekuinoksi vjeshtor?

Ekuinoksi vjeshtor është një shënues stinor në orbitën vjetore të Tokës rreth Diellit. Fjala ekuinoks vjen nga latinishtja aequus (barabartë) dhe nox (natë), që do të thotë “natë e barabartë”. Kjo pasi që në këtë ditë Dielli shfaqet pingul mbi ekuatorin e Tokës, duke bërë që dita dhe nata të jenë pothuajse të barabarta kudo në botë.

 

Animi i Tokës dhe ekuinokset

Njerëzit e parë kanë kaluar shumë më shumë kohë jashtë se sa ne sot. Për ta, qielli ishte një orë dhe kalendar. Një prej gjërave që ata mund të vërenin më lehtë ishte se shtegu i Diellit në qiell, gjatësia e ditës dhe vendi i lindjes dhe perëndimit ndryshonin në mënyrë të rregullt gjatë vitit.

 

Ekuinokset (dy në vit) dhe solsticet ndodhin për shkak se Toka anon në boshtin e saj me rreth 23,5 gradë. Ky anim bën që gjatë vitit, hemisfera veriore dhe ajo jugore të shkëmbejnë vendet në pranimin pingul të dritës dhe ngrohtësisë së Diellit. Ekuinokset tregojnë se pozita e Tokës është e tillë që të dy hemisferat kanë një distancë të barabartë ndaj Diellit, ndërsa solsticet tregojnë animin maksimal ose minimal kundrejt Diellit.

 

Ndryshimet sezonale

Ndonëse të dyja hemisferat i pranojnë rrezet e Diellit në mënyrë të barabartë gjatë ekuinoksit, lëvizja e vazhdueshme e Tokës bën që gjatësia e ditës dhe natës të ndryshojnë shpejt. Në hemisferën veriore, ditët bëhen më të shkurtra dhe netët më të gjata ndërsa i afrohemi dimrit, ndërsa në hemisferën jugore, ndodh e kundërta.

Si të gjeni drejtimet gjatë ekuinoksit

Dita e ekuinoksit është një ditë e shkëlqyer për të përcaktuar drejtimet e lindjes dhe perëndimit nga vendi juaj i preferuar për të vëzhguar qiellin. Në këtë ditë, Dielli lind pikërisht në lindje dhe perëndon pikërisht në perëndim, pavarësisht nga vendndodhja juaj në botë, përveç se në Polin e Veriut dhe Polin e Jugut.

Shenjat e ekuinoksit vjeshtor në natyrë

Shenjat se vera ka mbaruar dhe dimri po vjen janë të dukshme në hemisferën veriore. Agimi vjen më vonë dhe muzgu vjen më herët. Dielli fillon të përshkojë një hark më të ulët në qiell, drejt jugut. Zogjtë dhe fluturat fillojnë migrimin e tyre drejt jugut. Ditët më të shkurtra sjellin mot më të ftohtë, ajri bëhet më i freskët dhe kafshët fillojnë të ndërrojnë gëzofin për dimër. Pemët dhe bimët e përfundojnë ciklin e rritjes për këtë vit, me disa që fillojnë t’i ndryshojnë ngjyrat e gjetheve ose lulëzojnë për herë të fundit. Në qiell, ylli Formalhaut, i njohur si Ylli i Vjeshtës, bëhet më i dukshëm çdo natë.

Të gjitha këto ndryshime janë tregues të qartë të fillimit të një stine të re.