EMËRTIMI I CIKLONEVE TROPIKALE

Tashmë jemi mësuar që të dëgjojmë se si stuhitë e mëdha (ciklonet tropikale, uraganet dhe tajfunet) emërtohen me emra njerëzish. Ajo që mbase shumë prej jush nuk e dinë është se si përzgjidhen emrat me të cilat këto stuhi të ndryshme pagëzohen. Ne ju ftojmë që të lexoni këtë artikull deri në fund për të mësuar më shumë detaje rreth këtij procesi mjaft të rreptë.

 

Pse duhet të emërtohen stuhitë?

Praktika e emërtimit të stuhive (cikloneve tropikale, uraganeve, tajfuneve) ka filluar vite më parë për të ndihmuar në identifikimin e shpejtë të stuhive në porositë paralajmëruese, sepse supozohet se emrat mbahen mend shumë më lehtë se sa numrat apo termet teknologjike. Po ashtu, ekziston një konsensus i përgjithshëm se emërtimi i cikloneve tropikale e bën më të lehtë për mediat që të raportojnë për ato, si dhe e rrisin interesimin dhe gatishmërinë e komuniteteve për stuhitë që pritet të ndodhin.

 

Si u krijuan rregullat për emërtimin e stuhive?

Këto rregulla u krijuan nga përvoja e shumë viteve dhe përdorimi dhe anulimi i praktikave të ndryshme. Raportet më të hershme nga fillimi i shekullit të 19-të tregojnë se si stuhitë emëroheshin pasi që kalonin në tokë dhe shkaktonin dëme të konsiderueshme. Me këtë rast parashikuesit i emërtonin ato sipas karakteristikave të asaj dite. Kjo do të thotë se stuhia mund të përfundonte me emrin e ndonjë shenjtori, feste apo ndonjë qyteze të goditur.

 

Vetëm nga fundi i shekullit të 19-të filloi praktika e emërtimit të stuhive teksa ato formoheshin në oqean. Asokohe parashikuesit e motit filluan të përdornin emrat e shkronjave të alfabetit grek. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, meteorologët e Forcave Ajrore dhe Marinës së SHBA-ve filluan t’i emërtonin stuhitë sipas të dashurave apo bashkëshorteve të tyre. Mirëpo, ky sistem i emërtimit u refuzua shumë shpejt nga Zyra Meteorologjike e SHBA-ve.

 

Në ndërkohë u provuan edhe sisteme të tjera. Mirëpo, përfundimisht u vendos që Organizata Meteorologjike Botërore e Kombeve të Bashkuara, e cila përbëhet nga 25 anëtare në të cilat përfaqësohen 120 shtete që e rrethojnë secilin pellg oqeanik, ku zhvillohen stuhi të tilla, do të ishte përgjegjëse për emërtimin e stuhive. Kështu sot secili rajon e ka shoqatën rajonale varësisht nga pellgu oqeanik me të cilin kufizohen. Kështu, për shembull, emri i uraganeve të Oqeanit Atlantik dallon nga emrat e uraganeve të Oqeanit Paqësor, dhe këto lista krijohen gjashtë vjet më parë për secilin pellg oqeanik në përputhje me disa rregulla shumë të rrepta.

 

 

 

Si zgjidhen emrat?

Çdo vit, përdoret një listë me 21 emra në të cilën emrat femëror dhe mashkullor ndërrohen me radhë njëri pas tjetrit dhe ata janë të radhitur sipas rendit alfabetik. Në këtë listë nuk janë të përfshirë emra që fillojnë me shkronjat Q, U, X, Y dhe Z. Po ashtu, emrat e përzgjedhur duhet t’i plotësojnë disa kritere për t’u futur edhe zyrtarisht në listë: ata duhet të jenë të shkurtër, të kuptohen lehtë dhe të kenë përfaqësim kulturor në të gjitha gjuhët që e rrethojnë një pellg oqeanik specifik. Për shembull, lista e Uraganeve në Oqeanin Atlantik përbëhet nga emra që vijnë nga kultura angleze, spanjolle dhe franceze, për shkak të vendeve që kufizohen me këtë pellg oqeanik.

 

Kur pensionohen emrat?

Organizata Meteorologjike Botërore mund të vendos që të “pensionojë” (ta nxjerrë nga përdorimi)  ndonjë emër të stuhive. Kjo ndodh kur stuhitë janë aq të forta dhe mbahen mend për shkak të dëmeve dhe numrit të madh të viktimave që i shkaktojnë dhe për rrjedhojë ripërdorimi i atij emri do të ishte i papërshtatshëm. Kur një emër i stuhive pensionohet, ai nuk mund të përdoret më kurrë.

 

Çka nëse numri i stuhive e tejkalon numrin e emrave në listë?

Ndonëse nuk ndodh shpesh, për herë të parë ndodhi vetëm në vitin 2005 dhe më pas edhe në vitin 2020 (për çka kemi shkruar këtu), nëse ka më shumë stuhi se sa emra në listë, atëherë parashikuesit e motit i emërojnë stuhitë pasuese me emrat e shkronjave të alfabetit grek.

 

Cilët janë emrat e stuhive për vitin 2021 në pellgun e Oqeanit Atlantik?

Gjatë vitit 2021 stuhitë që do të zhvillohen në pellgun e Oqeanit Atlantik do t’i kenë këta emra: Ana, Bill, Claudette, Danny, Elsa, Fred, Grace, Henri, Ida, Julian, Kate, Larry, Mindy, Nicholas, Odette, Peter, Rose, Sam, Teresa, Victor dhe Wanda. Mos harroni, listat e emrave të stuhive në pellgjet e tjera oqeanike përmbajnë emra të tjerë, gjegjësisht secili pellg oqeanik e ka listën e vet të emrave.

 

Listat e emrave të stuhive tropikale riciklohen

Listat e emrave të stuhive përgatiten dhe shfrytëzohen në një cikël gjashtë vjeçar. Kjo do të thotë, se çdo gjashtë vjet përdoret lista e njëjtë e emrave me kusht që ndonjëri prej këtyre emrave të mos jetë pensionuar, dhe në rast të tillë emri i pensionuar zëvendësohet me një emër të ri. Me fjalë të tjera, lista e sipërpërmendur e emrave të stuhive për vitin 2021 është përdorur në vitin 2015 dhe do të përdoret sërish në vitin 2027.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE