Sot, në mbarë botën për të 55-in vit me radhë shënohet Dita e e Tokës, e cila u iniciua në vitin 1970 për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit. Këtë vit, mbi një miliard njerëz në 192 vende do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme, ndërsa fokusi është tek burimet e rinovueshme të energjisë, nën moton “Fuqia jonë, planeti ynë”. Tema e këtij viti është tranzicioni energjetik – kalimi nga lëndët djegëse fosile dhe burimet bërthamore në energji nga era, dielli, uji dhe biomasa. Qëllimi është që të zvogëlohet ndotja, të ruhet natyra dhe të sigurohet një e ardhme e qëndrueshme për të gjithë. Dita e Tokës është edhe një rikujtim që edhe ndryshimet e vogla në sjelljen tonë mund të kenë ndikim të madh në shëndetin e planetit.
Çfarë është tranzicioni energjetik?
Tranzicioni energjetik e nënkupton kalimin nga përdorimi i burimeve fosile dhe bërthamore të energjisë, në burime të rinovueshme. Lëndët djegëse të kufizuara dhe të dëmshme për klimën, si nafta, gazi natyror dhe qymyri, si dhe energjia bërthamore me rreziqet dhe sfidat e saj afatgjata, duhet të zëvendësohen me alternativa të qëndrueshme. Në mesin e tyre përfshihet energjia nga era, energjia solare, hidroenergjia, bioenergjia, energjia gjeotermale dhe atë nga baticat dhe zbaticat. Qëllimi i këtij tranzicioni është që furnizimi me energji të bëhet në mënyrë të qëndrueshme dhe të zvogëlohet varësia nga burimet jo të rinovueshme. Kështu, reduktohet edhe ndikimi në mjedisin natyror dhe në klimë. Megjithatë, vetëm kalimi në burime të rinovueshme nuk mjafton. Brenda tranzicionit energjetik, është po ashtu e rëndësishme që energjia edhe të kursehet dhe të ruhet në mënyrë efikase.