Gjuha e urrejtjes, sidomos në mjedisin digjital, është shfaqur si një pengesë serioze për pajtimin ndërmjet grupeve etnike në Kosovë. Ky problem, jo vetëm që i përshkallëzon tensionet ndëretnike, por gjithashtu e minon zhvillimin socio-ekonomik të rajonit. Të kuptuarit e ndikimit të dëmshëm të gjuhës së urrejtjes dhe ndërmarrja e hapave për ta kundërshtuar atë është thelbësore për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
Problemi i gjuhës së urrejtjes
Gjuha e urrejtjes në baza etnike në Kosovë është më së shumti e dukshme në platformat e mediave sociale. Megjithëse vetëm një pjesë e vogël e popullsisë e përdor ose mbështet gjuhën e urrejtjes, prapëseprapë ata e krijojnë një mjedis digjital armiqësor që i pasqyron dhe thekson stereotipat negativ. Kjo sjellje kontribuon në mungesën e pajtimit ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Duke e marrë parasysh se ndërveprimet e drejtpërdrejta ndërmjet këtyre grupeve janë të kufizuara, shumë njerëz i formojnë opinionet e tyre për palën tjetër bazuar në përmbajtjen që e hasin online. Kështu, mjedisi digjital bëhet një terren pjellor për keqinformim dhe armiqësi. Pasojat janë të gjera, pasi që ato ndikojnë jo vetëm në marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në perceptimin e përgjithshëm për ne si një shoqëri që aspiron të përfaqësojë vlerat e Bashkimit Evropian dhe të integrohet në organizatat Euro-Atlantike.
Pasojat e gjuhës së urrejtjes
Përdorimi ose mbështetja e gjuhës së urrejtjes etnike e vazhdon një cikël mosbesimi dhe armiqësie. Për më tepër, gjuha e urrejtjes ka edhe ndikime domethënëse psikologjike. Psikologu Gëzim Shala thotë: “Gjuha e urrejtjes është një formë e komunikimit verbal dhe jo verbal kundrejt një individi, grupi, etnie, feje, race apo grupi të margjinalziuar me aftësi të ndryshme, dhe kjo gjuhë shfaq dhunë, diskriminim dhe përbuzje.” Ekspozimi ndaj saj mund të çojë në stres dhe ankth, duke shkaktuar dëme të mëtejme psikologjike dhe emocionale, shton Shala. Gazetarja Adriana Thaqi thekson se përvoja e saj profesionale ia ka dëshmuar se gjuha e urretjes është një formë e censurimit pasi që ajo i hesht zërat që mund të japin kontribut pozitiv në shoqëri. “Deklarat publike shpesh tërheqin komente të shumta denigruese, të cilat çojnë në vet censurim dhe heshtjen e atyre që mund ta bëjnë shoqërinë pak më normale.” Petar Xhorxheviq nga OJQ Shoqata Rinore – Graçanica Aktive Rinore theksoi: “Nëse nuk i përgjigjesh gjuhës së urrejtjes në mënyrën e duhur, hapi tjetër është padyshim një formë e dhunës. Këtu mund të përfshihet diskriminimi, tensionet ndëretnike, dhe dehumanizimi i disa grupeve të caktuara, me pasoja potencialisht të rënda.
Promovimi i ndryshimit pozitiv
Rëndësia e veprimit kundër gjuhës së urrejtjes
Gjuha e urrejtjes në Kosovë e përbën një kërcënim serioz për pajtimin ndëretnik dhe zhvillimin socio-ekonomik. Duke i kuptuar pasojat e saj dhe duke marrë hapa proaktiv për ta kundërshtuar atë, shoqëria jonë mund të punojë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të begatë. Promovimi i tolerancës ndëretnike, refuzimi dhe raportimi i gjuhës së urrejtjes, dhe inkurajimi i ndërveprimeve pozitive janë strategji thelbësore në këto përpjekje. Ju të rinjtë, në veçanti, e keni potencialin për ta udhëhequr këtë ndryshim, duke e krijuar një shoqëri që e përqafon diversitetin dhe e synon përparimin kolektiv.