ICK E PUBLIKON RAPORTIN PËR VLERËSIMIN E NEVOJAVE TË EKOSISTEMIT TË KOMPANIVE STARTUP NË KOSOVË

Më 21 korrik 2020 Qendra për Inovacion e Kosovës (Innovation Centre Kosovo – ICK) e publikoi Raportin për Vlerësimin e Nevojave të Ekosistemit të Kompanive Startup (fillestare) në Kosovë.

 

Në njoftimin për këtë publikim, ICK bëri të ditur se ky studim merret me një prej sektorëve më strategjik të Kosovës i cili e ka një rol kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Përndryshe, më tej në njoftimin e ICK bëhet e ditur se ky studim është financuar nga Zyra e BE-së (Bashkimit Evropian) në Kosovë dhe qëllimi i tij ishte vlerësimi i nevojave në ekosistemin aktual të kompanive startup në Kosovë.

 

Në vijim ju ftojmë që t’i lexoni gjetjet kryesore të këtij studimi.

 

GJETJET KRYESORE

 

Mjedisi i kompanive startup (fillestare) është shumë i brishtë dhe i pasigurt pasi që ato përballen me shumë sfida të cilat janë të vështira për t’i tejkaluar. Rrjedhimisht, 93,33% e kompanive startup kanë nevojë për mbështetje të jashtme për të forcuar biznesin e tyre.

 

Sfida kryesore për rritjen e shumicës së këtyre kompanive (61,90%) është mungesa e burimeve financiare. Burimet financiare, konsiderohen edhe si arsyeja kryesore për dështimin e kompanive startup të mëparshme në Kosovë. Si rezultat i kësaj, ndihma financiare konsiderohet të jetë mbështetja kryesore më e nevojshme për 82,65% të kompanive dhe njëherit, nga mostra e kompanive startup ajo shihet si rruga kryesore për të fuqizuar sektorin e TIK-ut.

 

Është me rëndësi që të theksohet se numri i kompanive startup që kanë marrë mbështetje në të kaluarën dhe që janë në stagnim është më i ulët sesa numri i kompanive që nuk kanë pranuar kurrfarë ndihme. Me fjalë të tjera, numri i kompanive startup që janë në stagnim është më i lartë në mesin e kompanive që nuk kanë marrë kurrfarë ndihme. Ato që janë ndihmuar, ndonëse në stagnim, janë në numër më të vogël. Për më tepër, COVID-19 e ka shtuar pasigurinë dhe e ka dobësuar ekonominë gjë që i ka prekur rreth 50% të kompanive startup të përfshira në mostër.

 

Aktualisht, shumica e kompanive startup ose nuk gjenerojnë të ardhura (41,90%) ose gjenerojnë të ardhura të pamjaftueshme (45,71%). Vetëm një përqindje e vogël e kompanive startup (12,38%) janë duke gjeneruar të ardhura të mjaftueshme. Krahas kësaj, për sa i përket strategjive për zhvillimin e biznesit, shumica dërrmuese ose 72,38% konsiderojnë se gjetja e klientëve të rinj janë mënyra për të rritur biznesin e tyre kurse, për 44,76% gjetja e investitorëve të rinj është mënyra e duhur për të rritur biznesin.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE