INSTITUTI ATOMI

 

Gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë së COVID-19 shkollat në mbarë botën u detyruan që të zhvillonin mësimin përmes internetit (online). Kjo ka qenë arsyeja pse, gjatë kësaj kohe, në disa numra të revistës sonë në këtë rubrikë, në vend të shkollave ne kemi shkruar për disa prej platformave më të mira online që e lehtësojnë ose plotësojnë procesin mësimor. Edhe kësaj radhe nuk do të shkruajmë për ndonjë shkollë fillore apo të mesme, mirëpo nuk do të shkruajmë as për ndonjë platformë online për mësim. Në fakt në këtë numër, rubrikën “Shkolla e Muajit” kemi vendosur që t’ia kushtojmë Institutit ATOMI, në Prishtinë.

 

Çka është Instituti Atomi?

Instituti Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme ATOMI – Instituti ATOMI është organizatë jo-qeveritare dhe jo-fitimprurëse e llojit fondacion e themeluar në Kosovë. Instituti ATOMI ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente (ndryshe të njohur si atomist) në Kosovë dhe më gjerë. E gjithë kjo bëhet me qëllim që këta atomistë të kenë mundësi që ta zhvillojnë dhe realizojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe kësisoj t’i kontribuojnë në radhë të parë zhvillimit të tyre personal dhe në të njëjtën kohë edhe interesit të gjithmbarshëm të vendit dhe shoqërisë.

 

Si të bëheni pjesë e ATOMI-t?

Nxënësit e të gjitha shkollave kanë mundësi që të aplikojnë apo të nominohen nga prindërit ose familja, nga mësimdhënësit, nga shoqëria apo edhe të vetënominohen. Pas aplikimit-nominimit, të gjithë aplikuesit i nënshtrohen një procesi rigoroz të seleksionimit me disa faza. Pas këtij procesi, për çdo vit, përzgjidhen 50- 60 atomistë – nxënësit më të mirë nga mbarë Kosova (me koeficientin më të lartë të inteligjencës, që të gjithë me inteligjencë shumë superiore). Deri më tani, ATOMI i ka identifikuar gjithsej 170 atomistë nga e gjithë Kosova (të moshës 12-20 vjeçare, nga të dy gjinitë dhe pothuajse nga të gjitha komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë).

 

Çka ofron Instituti ATOMI?

Pikësëpari, për të gjitha palët e interesuara në Kosovë Instituti ATOMI ofron: Testime të inteligjencës, individuale dhe grupore; Bashkëpunim me të gjithë individët dhe entitetet që janë të interesuar të zhvillojnë aktivitete që stimulojnë, zhvillojnë dhe promovojnë mendjen, intelektin, dhuntinë, talentin, krijimtarinë, kreativitetin dhe inovacionin në të gjitha fushat; Trajnime për mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë në lidhje me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve dhe nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, etj. Ndërsa për atomistët e përzgjedhur ATOMI ofron falas një varg shërbimesh e aktivitetesh përkrahëse si: Kurse të avancuara – Shkolla+, punë laboratorike dhe vizita studimore, takime me profesionistë dhe personalitete të shquara, qasje në literaturë të avancuar e të përditësuar, orientim në karrierë dhe këshillim psikologjik, dhe shumë të tjera.

 

Arritjet e Institutit Atomi

Në vitin 2016 Instituti ATOMI është certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë. Gjithashtu në vitin 2016, Instituti ATOMI dhe Kosova është bërë anëtare e “Asociacionit Kangourou sans Frontières (AKSF)” dhe duke filluar nga viti 2017 Instituti ATOMI është autorizuar nga AKSF për organizimin e garës më të popullarizuar në botë për fushën e matematikës “Kangaroo” në Kosovë. Që nga viti 2014 organizata Mensa, e cila është organizata më e madhe ndërkombëtare (me shtrirje në më shumë se 100 vende të botës) që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë ka konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e Institutit ATOMI.

 

Krahas Institutit ATOMI si organizatë, edhe atomistët nga Kosova kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në nivel ndërkombëtar. Shumë atomistë tashmë kanë siguruar bursa dhe studiojnë në universitetet më të mira të botës, duke filluar nga SHBA-të (Harvard University, Princeton University, New York University, Brown University, etj.), e pastaj edhe në vendet e tjera si Kanadaja, Gjermania, Franca, Finlanda, Holanda, Zvicra, Hungaria, Turqia, Greqia, etj. Të gjithë këta indikatorë (por edhe të tjerë) janë dëshmi për potencialin e jashtëzakonshëm intelektual të atomistëve, të cilët mund të kontribuojnë për zhvillimin e Kosovës në të ardhmen nëse ne i identifikojmë dhe i përkrahim si duhet bazuar në potencialin dhe nevojat e tyre.

 

Nëse keni dëshirë që të mësoni më shumë rreth Institutit ATOMI mund ta bëni këtë duke shkuar në ueb faqen e tyre në: https://atomi-ks.org/.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE