JETOJMË NË EPOKËN E MBETURINAVE

 

Historia e njerëzimit është e ndarë në disa epoka si ajo e gurit, bronzit, avullit, informatikës… Emërtimet e të gjitha këtyre periudhave vijnë nga shenja dalluese e cila e përcakton atë epokë. Kështu për shembull në epokën e gurit njeriu filloi ta përdorte gurin në dobi të veten (për punë, gjueti, etj.). Duke e pasur parasysh këtë fakt, aktualisht shenja përcaktuese e epokës në të cilën jemi duke jetuar nuk është ndonjë material i ri, i cili ndryshon gjithçka, por janë mbeturinat. Me fjalë të tjera, stili i jetës së njeriut modern sillet rreth prodhimit të mbeturinave, ky është motori i ekonomisë globale.

 

Njerëzit për nga natyre e tyre nuk janë qenie shpërdoruese. Kultura e hedhjes është diçka që jemi dashur që ta mësojmë, dhe me të vërtetë kjo është një zgjedhje në kuptimin e stilit të jetës, i cila që nga mesi i shekullit të 20-të e tutje është plasuar si një praktikë dekadente pas kursimit që ishte i pranishëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte instalim i paramenduar i mendësisë së kundërt me filozofinë e deriatëhershme “prodho dhe riparo”. Këtë më së miri e dëshmon një reklamë e viteve të gjashtëdhjeta (të shekullit të kaluar), e cila e lartëson mrekullinë e gotave plastikës.

“Fëmijët i marrin vet; më pak punë për ju me një Mbajtëse të Gotave Dixie! Tani lavamani i juaj në kuzhinë nuk mbushet me gota. Në vend që t’ju shqetësojnë ju për çdo pije, fëmijët përdorin Gota Dixie që nuk e transmetojnë gripin. Nuk ka as gota të thyera. Rimbushje kudo. Blijeni një Mbajtëse të Gotave Dixie!”

 

Kush ka mundur ta paramendoj që katër dekada më vonë bota do të shpenzonte më shumë se një milion qese të plastikës për mbeturina në minutë. Krijimi i mbeturinave, për një kohë të gjatë ka qenë stimuluesi primar i rritjes ekonomike.

 

Dikur edhe në Kosovë shishet e pijeve ktheheshin në shitore

Në të kaluarën, gjatë viteve të tetëdhjeta për të qenë më të saktë, në shitoret tona çdo pije shitej me një kosto shtesë për shishet e pijeve, e cila iu kthehej blerësve pasi që ata i kthenin shishet e zbrazëta në shitore. Kështu që të gjithë blerësit i ruanin dhe pasi i konsumonin pijet i kthenin shishet në shitore për ta marrë pagesën tyre. kjo është një praktikë mjaft e përdorur në disa vende perëndimore edhe sot e kësaj dite. Po ashtu, gjyshërit tanë i përdornin çantat shumë përdorimshe për transportimin e mallrave të blera nga shitoret!

 

Në kohën e mallrave të konsumit të gjerë, mundësia e ripërdorimit dhe reciklimit vazhdon të mbështetet nga pak kompani si iFixit, një platformë globale online për riparime e cila ndihmon falas për riparime dhe merret me shitjen e pjesëve dhe veglave rezervë, si për shembull zhvidhosësit për çmontimin e iPhone-ve.

 

Franca, e cila është vendi i parë në Evropë e cila ka filluar me zbatimin e indeksit të riparueshmërisë, kërkon nga prodhuesit që të ofrojnë informacione të sakta për mundësitë e riparimit të telefonave të mençur, laptopëve, rrobalarëseve, televizorëve, kosave, dhe që kjo të bëhet përmes një shkalle vlerësuese nga 1 deri në dhjetë. Kështu, për shembull, iPhone 11 mbase i ka disa elemente të ricikluara nga ndonjë vend i rrallë, por ai e ka marrë notën e riparueshmërisë 4,5 nga 10.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE