KALLAMARIT XIXËLLONJË DËRGOHEN ME MISION NË GJITHËSI

 

Gjatë muajit qershor të këtij viti, dhjetëra të vegjël të kallamarit të Havait, të rritur në Laboratorin Detar Kevala të Universitetit të Havait, u dërguan në gjithësi. Kjo dërgesë e posaçme u dërgua në gjithësi përmes pakos furnizuese për furnizimin e Stacionit Ndërkombëtar të Gjithësisë, me anijen kozmike “Space X”. Pasi të përmbushin “misionin” e tyre, këta kallamarë pritet që të kthehen në Tokë gjatë këtij muaji.

 

Studiuesja Jamie Foster, e cila ka doktoruar në Universitetin e Havait, është duke studiuar ndikimin e udhëtimit në gjithësi tek kallamarit, me shpresën që të zbulojë se si të ndihmojë në forcimin e shëndetit të njerëzve gjatë misioneve të tjera në gjithësi, ka shkruar gazeta lokale “Honolulu Star-Advertiser”.

 

Kallamarit kanë një marrëdhënie simbiozë me bakteret, të cilat ndihmojnë në rregullimin e bioluminishencës së tyre – dritës që ata e emitojnë në errësirën e oqeanit. Kur astronautët ekspozohen në gravitet të ulët, raporti i trupit të tyre me mikrobet ndryshon.

 

Çka do të bëjnë kallamarit xixëllonjë në gjithësi?

Jamie Foster, tani është profesoreshë në Florida dhe është hulumtuesja kryesore e programit të NASA për studimin se si ndikon mikro-graviteti  në ndërveprimin në mes të jetës dhe mikrobeve.

 

“Sa më shumë kohë që astronautët kalojnë në gjithësi, sistemi i tyre i imunitetit bëhet gjithnjë e më pak i rregulluar dhe nuk i njeh më bakteret. Kjo është arsyeja pse astronautët nganjëherë sëmuren,” shpjegon Jamie Foster. Ajo, po ashtu, theksoi se duke kuptuar se çka ndodh me kallamarët në gjithësi, mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve shëndetësore të astronautëve.

 

“Ekzistojnë aspekte të sistemit të imunitetit të cilat thjesht nuk funksionojnë si duhet gjatë fluturimeve të gjata në gjithësi,” tha ajo dhe vazhdoi: “Nëse njerëzit dëshirojnë që të qëndrojnë në Hënë ose në Mars, ne duhet që t’i zgjidhim problemet shëndetësore për t’i dërguar ata atje në mënyrë të sigurt.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE