KASTORI – INXHINIERI I EKOSISTEMEVE NATYRORE

 

Digat e kastorit janë konstruksione të ndërtuara nga kastorët për të krijuar pellgje të ujit si mbrojtje nga grabitqarët si kojotët, ujqit dhe arinjtë, dhe për të ofruar qasje të lehtë drejt ushqimit gjatë dimrit. Po ashtu, këto diga e modifikojnë mjedisin natyror ashtu që i tërë ekosistemi bazohet në këto ndryshime, gjë që i bën kastorët një specie thelbësore dhe një inxhinier të ekosistemeve.

 

Pse kastorët ndërtojnë diga?

Kastorët kanë nevojë që uji të ketë një thellësi minimale prej 0,6 deri në 0,9 metra në mënyrë që hyrjet nënujore të shtrofullave të tyre të mos bllokohen nga akulli gjatë dimrit, por edhe të jenë të mbrojtura nga grabitqarët e sipërpërmendur. Në liqene, lumenj dhe përroje të mëdha ku uji është mjaftueshëm i thellë, kastorët mund të mos ndërtojnë diga, pasi që ata i ndërtojnë shtrofullat e tyre në brigjet e mbuluara me ujë.

 

Si i ndërtojnë digat?

Kastorët punojnë natën dhe janë ndërtues të zotë. Ata e bartin baltën dhe gurët me putrat e tyre të para kurse drunjtë me dhëmbët e tyre. Kastorët e fillojnë ndërtimin e digës duke e ridrejtuar rrjedhën e ujit për të pakësuar presionin e rrjedhës. Më pas ata hedhin degë dhe trungje në baltën e shtratit të lumit për të krijuar themelet. Më pas sjellin krande, lëvore të drunjve gjetherënës, gurë, baltë, bar, gjethe, barishte të bimëve, dhe çdo gjë tjetër që e gjejnë që mund të përdoret për të ndërtuar këto superstruktura. Kastorët mund të transportojnë materiale po aq të rënda sa edhe pesha e tyre trupore, ata i tërheqin trungjet nëpër kanale të baltës, dhe nëpër kanale ujore deri në vendin e caktuar. Sapo diga të ketë përmbytur sipërfaqe të mjaftueshme deri në thellësinë e duhur për të krijuar pellgun mbrojtës (i cili shpesh shtrihet në disa hektarë), kastorët fillojnë ta ndërtojnë shtrofullën e tyre.

Kastori – druvari i pyjeve

Krahas të qenit specialist për ndërtimin e digave, kastorët janë të njohur edhe si druvar tejet të zotë. Këtë shkathtësi ata e vënë në përdorim për të prerë drunj për ndërtimin e digave të tyre. Zakonisht, kastorët përdorin trungje të drunjve me diametër (trashësi) 10-30 centimetra. Mirëpo janë regjistruar raste që kastorët kanë prerë drunj deri në 45 metra të gjatë dhe 115 centimetra të trashë, ndonëse trungjet e tilla përdoren më shumë për ushqim se sa për ndërtim. Kastorit i duhen rreth 20 minuta për të prerë një plep të egër me trashësi 15 centimetra, duke e gërryer trungun me dhëmbët e tij të fuqishëm. Nofullat e tij janë aq të fuqishme sa që ai mund të pres me një kafshim të vetëm një fidan 1,5 centimetra të trashë.

 

Pamje e digës kolosale në Wood Buffalo National Park në Alberta të Kanadasë

Kolosi në Wood Buffalo National Park

Digat e kastorëve zakonisht zgjaten nga disa metra deri në rreth 100 metra, kurse kanalet e tyre mund të jenë mbi 0,5 metra të gjata. Sidoqoftë, diga më e madhe e kastorëve e cila është zbuluar rishtas gjendet në Wood Buffalo National Park në Alberta të Kanadasë. Ajo është 850 metra e gjatë dhe është aq mbresëlënëse sa që duket edhe në pamjet satelitore.

 

Nga imazhet e Google Earth shihet se janë duke u ndërtuar diga të reja të cilat mund të përfundojnë duke u bashkuar për t’ia shtuar digës së tanishme edhe 50 deri në 100 metra më shumë gjatë dekadës së ardhshme.

 

Sipas të gjitha gjasave, kastorët filluan që të punonin në ndërtimin e digës në Alberta diku gjatë viteve 1970, gjë që e bën atë një projekt të disa gjeneratave. Muri i digës i ndërtuar nga balta, degët, gurë dhe krandet është i mbuluar nga një shtresë e barit dhe kjo do të thotë se ajo ka qenë aty për ca kohë tani.

 

Dobia

Ndërtimi i digave nga kastorët është i dobishëm për krijimin e ligatinave, të cilat ndihmojnë në kontrollimin e përmbytjeve, rritjen e biodiversitetit (pasi ofrojnë habitat për specie të ndryshme), dhe pastrimin e ujit duke i shpërbërë toksinat si pesticidet dhe duke e ruajtur e lymin.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE