KËSHILLA PËR PUBLIKUN PËR COVID-19: THYESIT E MITEVE (PJESA E DYTË)

 

Krahas problemeve shëndetësore, pandemia e COVID-19 ka çuar edhe në lindjen e shumë teorive dhe informacioneve që në rastin më të mirë mund të quhen të pasakta. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka publikuar disa këshilla për publikun në lidhje me COVID-19. Njëherit, përmes tyre synohet që të thyhen edhe disa mite që janë po aq të rrezikshme sa edhe të pasakta.

 

FAKT: Aktualisht nuk ekziston asnjë ilaç i licencuar për trajtimin apo parandalimin e COVID-19

Ndonëse janë në zhvillim e sipër testimet e disa ilaçeve, aktualisht nuk ka dëshmi se hydroxychloroquine apo ndonjë ilaç tjetër mund të shërojë apo parandalojë COVID-19. Keqpërdorimi i hydroxychloroquine mund të shkaktojë efekte anësore serioze dhe sëmundje që mund të çojë edhe në vdekje. OBSH është duke i koordinuar përpjekjet për zhvillimin dhe vlerësimin e ilaçeve për trajtimin e COVID-19.

 

FAKT: Përdorimi i piperit në ushqimet e juaja NUK e parandalon dhe as nuk e shëron COVID-19

Specat ose piperi i djegës në ushqimin tuaj, ndonëse mund të jenë shumë të shijshëm, ata nuk e parandalojnë dhe as nuk e shërojnë COVID-19. Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është mbajtja e distancës, mbajtja e maskave dhe pastrimi i duarve. Po ashtu, është e dobishme që të keni një dietë të balancuar, të pini ujë dhe lëngje, të ushtroni rregullisht dhe të flini mirë.

 

FAKT: Mizat NUK e transmetojnë COVID-19

Deri tani nuk ka asnjë dëshmi apo informacion që tregon se COVID-19 mund të transmetohet nga mizat. Virusi që e shkakton COVID-19 përhapet përmes stërkalave të krijuara kur një person i sëmurë kollitet, teshtinë apo flet. Infektimi mund të ndodh edhe nga prekja e sipërfaqeve të infektuara dhe më pas prekja e syve, hundës apo gojës pa i pastruar duart.

 

FAKT: Përdorimi i zbardhuesit apo dezinfektuesve të tjerë në trupin tuaj NUK ju mbron nga COVID-19 dhe mund të jetë i rrezikshëm për ju

Në asnjë mënyrë mos përdorni zbardhues apo dezinfektues të tjerë në trupin tuaj. Këto substanca mund të jenë helmuese nëse gëlltiten dhe mund të shkaktojnë irritim dhe dëmtim të lëkurës dhe syve tuaj. Zbardhuesi dhe dezinfektuesit e tjerë duhet të përdoren vetëm për dezinfektimin e sipërfaqeve.

 

FAKT: Konsumimi i metanolit, etanolit apo zbardhuesit NUK e parandalon apo shëron COVID-19 dhe për më tepër mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm

Metanoli, etanoli dhe zbardhuesi janë helme. Konsumimi i tyre mund të shkaktojë aftësi të kufizuara dhe vdekje. Metanoli, etanoli dhe zbardhuesi nganjëherë përdoren në produktet pastruese për të vrarë viruset në sipërfaqe – sidoqoftë, ato nuk duhet të konsumohen kurrë. Ato nuk e vrasin virusin në trupin tuaj dhe do t’ua dëmtojnë organet e brendshme.

 

FAKT: Rrjetet mobile 5G NUK e përhapin COVID-19

Viruset nuk udhëtojnë dot përmes radio valëve/rrjeteve mobile. COVID-19 është duke u përhapur në shumë vende që nuk kanë rrjete 5G. COVID-19 përhapet përmes stërkalave të krijuara kur një person i sëmurë kollitet, teshtinë apo flet. Infektimi mund të ndodh edhe nga prekja e sipërfaqeve të infektuara dhe më pas prekja e syve, hundës apo gojës pa i pastruar duart.

 

FAKT: Ekspozimi në diell apo në temperatura më të larta se 250C NUK ju mbron nga COVID-19

Ju mund të sëmureni me COVID-19 pa marrë parasysh se sa e ngrohtë dhe me diell është koha. Edhe vendet me klimë të ngrohtë kanë raportuar raste të COVID-19. Për t’u mbrojtur mbani distancë, mbani maska dhe pastroni duart.

 

FAKT: Nëse sëmureni me COVID-19 NUK do të thotë se do ta keni përjetë atë

Shumica e njerëzve që preken nga COVID-19 mund të shërohen dhe ta eliminojnë virusin nga trupi i tire. Nëse sëmureni, sigurohuni që t’i trajtoni simptomat e juaja. Nëse keni kollë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni ndihmë mjekësore sa më herët – por, fillimisht telefonojuni institucioneve shëndetësore. Shumica e pacientëve shërohen falë kujdesit mbështetës.

 

FAKT: Nëse mund ta mbani frymën tuaj për 10 apo më shumë sekonda pa u kollitur apo pa ndjerë parehati NUK do të thotë se nuk e keni COVID-19.

Simptomat më të thjeshta të COVID-19 janë kolla e thatë, lodhja dhe temperatura. Disa njerëz mund të zhvillojnë simptoma më të rënda si pneumonia. Mënyra më e mirë për të konfirmuar nëse e keni apo jo virusin që e shkakton sëmundjen e COVID-19 janë testet laboratorike. Me këtë ushtrim të frymëmarrjes nuk mund ta konfirmoni, për me tepër ato mund të jenë të rrezikshme.

 

FAKT: Virusi i COVID-19 mund të përhapet në klimat e ngrohta dhe me lagështi

Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga COVID-19 është duke e mbajtur distancën prej së paku 1 metër, duke i bartur maskat dhe duke i pastruar duart shpesh.

 

Versionin në gjuhën angleze të këtyre këshillave e gjeni këtu.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE