KFOR-I SI PARTNER: MBËSHTETJA E KOMUNITETEVE TË CENUESHME

Në kohë të trazuara, mbështetja për komunitetet e cenueshme shpesh vjen nga ata që janë të përkushtuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe promovimin e solidaritetit. Një shembull i tillë është KFOR-i. Përmes misionit të tij në Kosovë, për më shumë se dy dekada, KFOR-i është shquar jo vetëm si garantues i sigurisë, por edhe si një partner i rëndësishëm i organizatave lokale që punojnë me anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë.

 

Kjo u vërtetua më tej nga donacionet e fundit të bëra për dy organizata kyçe: Shoqatën e Prindërve “Podrzi me” në Mitrovicë dhe Shoqatën Komunale të të Verbërve dhe Personave me Shikim të Dëmtuar në Istog. Këto veprime e demonstrojnë përkushtimin e KFOR-it për të përmirësuar cilësinë e jetës për grupet më të cenueshme, duke u ofruar atyre mbështetje thelbësore për të kapërcyer sfidat e përditshme.

Mbështetje për personat me aftësi të kufizuara zhvillimore

Shoqata e prindërve “Podrzi me”, e themeluar për të mbështetur fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara zhvillimore, është një burim i rëndësishëm për shumë familje në veri të Kosovës. Përveç punëtorive, Qendra Ditore shërben si një vend ku prindërit mund të shkëmbejnë përvoja dhe të marrin këshilla. Këto aktivitete e nxisin përfshirjen, duke e inkurajuar komunitetin që të tregojë ndjeshmëri dhe mbështetje më të madhe. Përveç menaxhimit të Qendrës Ditore, shoqata organizon punëtori kreative, programe edukative dhe ofron mbështetje për prindërit që përballen me sfida të shumta. Misioni i përditshëm i shoqatës është që t’iu ofrojë këtyre fëmijëve dhe të rriturve mundësinë për të arritur potencialin e tyre maksimal funksional dhe për t’u integruar me sukses në shoqëri. Megjithatë, puna e tyre shpesh përballet me mungesë burimesh dhe mbështetje të pamjaftueshme nga komuniteti.

 

Pjesëtarët e KFOR-it e kuptuan rëndësinë e kësaj shoqate dhe vendosën ta mbështesin atë me donacione të lodrave, instrumenteve muzikore dhe pajisjeve të specializuara, të cilat do t’ua mundësojnë përdoruesve të tyre që të gëzojnë aktivitete të përbashkëta më të këndshme. “Ne jemi të vetëdijshëm për problemet me të cilat përballen personat me nevoja të veçanta. Me këtë donacion duam t’u sigurojmë momente më të lumtura dhe të tregojmë se sa i vlerësojmë ata, si dhe përpjekjet e atyre që punojnë me ta,” tha një përfaqësues i KFOR-it. Ivana Rakiq, drejtoresha e Qendrës “Podrzi me”, e shprehu mirënjohjen e saj për këtë donacion, duke theksuar se iniciativat e tilla janë vendimtare për shoqatën dhe përdoruesit e saj. “Faleminderit për ata që i kuptuan nevojat e tyre dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm për ta bërë jetën e tyre të përditshme më të bukur dhe më të mirë. Këto janë qenie me nevoja të veçanta, por ne shpesh themi se nevojat e tyre janë të njëjta, vetëm plotësohen në mënyra paksa të ndryshme,” deklaroi Rakiq.

Mbështetje teknologjike për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar në Istog

Një shembull tjetër i përkushtimit të KFOR-it është donacioni për Shoqatën Komunale të të Verbërve në Istok. Kjo organizatë, e cila punon për të përmirësuar të drejtat dhe cilësinë e jetës së individëve të verbër dhe me shikim të dëmtuar, mori pajisje thelbësore, duke përfshirë bastunë mbështetës, shkopinj të bardhë për navigim, orë Braille për matjen e kohës, kompjuterë me softuer përshtatës dhe lojëra tavoline të modifikuara për personat me shikim të dëmtuar. Kryetarja e shoqatës, Besarte Gorqaj, e falënderoi KFOR-in për mbështetjen e dhënë, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që KFOR-i e ka zgjatur dorën e ndihmës. “Mbështetja e tyre është jetike për komunitetin tonë. Këto pajisje u japin anëtarëve tonë pavarësi më të madhe dhe e përmirëson cilësinë e jetës së tyre,” tha Gorqaj.

 

Nënkolonel Franc Veliu, zëvendës komandant i Komandës Rajonale Perëndim, e theksoi rëndësinë e ndihmës për komunitetet e cenueshme: “KFOR-i mbetet i përkushtuar jo vetëm për të garantuar sigurinë, por edhe për të mbështetur drejtpërdrejt popullatën vendase, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm”.

 

Bashkëpunim i vazhdueshëm për një të ardhme më të mirë

Donacionet e KFOR-it jo vetëm që ofrojnë ndihmë materiale por, gjithashtu e simbolizojnë një përkushtim afatgjatë për përmirësimin e përfshirjes dhe solidaritetit në Kosovë. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me organizatat lokale, KFOR-i ndihmon në adresimin e sfidave specifike me të cilat përballen grupet e margjinalizuara. Veprimet si këto e japin një mesazh të qartë për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në ndërtimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë. Organizatat si “Podrzi me” dhe Shoqata e të Verbërve dhe Personave me Shikim të Dëmtuar në Istog mbeten të përkushtuara ndaj misionit të tyre, duke u mbështetur në mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendorë. Me ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it, këto organizata vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për më të cenuarit dhe i plotësojnë boshllëqet në rrugën drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Puna e tyre, e mbështetur nga solidariteti dhe përpjekjet kolektive, i vendos themelet për një të nesërme më të mirë për të gjithë anëtarët e komunitetit.