KOMUNIKIMI ME SHOQËRI NË KOHËN E COVID-19

Pas dy muajve që i kemi kaluar në karantinë, kontakti fizik me njerëzit që dikur i takonim përditë duket sikur një kujtim i largët dhe i harruar. Shumë nga ne jemi mësuar dhe përshtatur me këtë mënyrë të re të jetesës. Me raste, neve na kujtohet koha kur mund të kalonim kohë jashtë me shoqëri, dhe menjëherë çdo gjë në shtëpinë tonë duket sikur dëshiron të na ngulfat. Mirëpo, rregullat janë rregulla dhe siguria jonë është më e rëndësishme, kështu që ajo që na mbetet neve është të bëjmë ç’ mundemi për të mbajtur kontaktin me botën jashtë. Mund të themi se është fat që jetojmë në epokën e internetit, pasi që interneti pothuajse e arrin efektin e kontaktit fizik. Gjëja e vetme që i mungon është aspekti fizik. Kështu që, pa e zgjatur shumë, unë do t’ju tregoj si i kam mbajtur kontaktet me shoqërinë time gjatë karantinës.

 

Mënyra e parë dhe më e thjeshta janë mesazhet. Gjatë kësaj kohe, mesazhet kanë qenë shumë të nevojshme, pasi që me to i mbaj të gjithë shoqërinë relativisht afër, dhe me shoqërinë e ngushtë kam komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë ditës. Fotografitë dhe videot qesharake, si dhe ndihmat për detyra të shtëpisë janë gjërat për të cilat flasim shumicën e kohës. Mirëpo, nganjëherë flasim edhe për kohët e mëparshme dhe për planet në të ardhmen, kështu që gjithmonë kemi diçka për të folur. Sa për shoqërinë e gjerë, shpesh ju shkruaj për të parë se ç’ bëjnë ose si po kalojnë, në mënyrë që t’i mbaj lidhjet me ta. Të gjithë ndihen mirë kur kujdesesh për ta, kështu që nëse nuk e keni bërë deri tani, do t’ju këshilloja t’iu shkruanit personave me të cilët keni kohë që nuk keni folur.

 

Mënyra e dytë dhe më e shpeshtë se si e mbaj komunikimin me shokë janë thirrjet me video. Thirrjet me video janë një përmirësim i komunikimit me mesazhe, pasi që e shohim njëri-tjetrin në fytyrë dhe biseda duket shumë më e natyrshme, sikur të ishim në një dhomë. Ne flasim për ditën tonë, se çfarë gjëra interesante na kanë ndodhur gjatë kësaj kohe, edhe pse është pak e vështirë të ndodhë ndonjë gjë e rëndësishme. Bisedat zgjasin shumë, dhe gjithmonë dua që bisedat të zgjasin shumë, pasi që dua ta kaloj këtë kohë të mërzitshme me shoqërinë time.

 

Mënyra e tretë dhe e fundit është më interesante, pasi që i jep komunikimit dhe kontaktit një aspekt tjetër: përjetimin. Në internet ka shumë faqe të cilat ta mundësojnë ty dhe shoqërisë tënde që të shikoni apo dëgjoni gjërat e njëjta në të njëjtën kohë. Me aplikacionet si Discord, mund të futet një program i automatizuar i cili lëshon muzikë gjersa ti dhe shoqëria jote luani video lojëra ose rrini bashkë. Pastaj, ka edhe faqe të tjera ku mund të shikoni filma apo video së bashku. Këto faqe janë shumë të mira, pasi që reagimet janë “live” dhe kjo të jep ndjesinë e afërsisë me shoqërinë tënde.

 

Si përfundim, komunikimit gjatë kësaj kohe i ka munguar vetëm aspekti fizik. Mua më bën shumë përshtypje se sa larg kemi arritur me teknologji dhe se sa me fat jemi që e kemi internetin për të ndenjur afër njëri-tjetrit. Do të doja të thosha që të gjithë duhet të mundohemi t’i mbajmë njerëzit tonë më të dashur afër, pasi që jeta në bashkësi është e paraparë për njerëzit, dhe vetmia vetëm sa e shkatërron njeriun. Mbani shoqëritë e juaja afër, dhe kjo kohë e mërzitshme do të kalojë më shpejtë.

 

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE