KTHIMI I SIGURT DHE I SHËNDETSHËM NË PUNË

Pas një periudhe dy mujore të masave kufizuese ndaj shumicës së aktiviteteve të cilat ishin të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, që nga dita e djeshme filloi lehtësimi gradual i këtyre masave. Kjo nënkupton se bizneseve të ndryshme iu lejua që të rifillonin aktivitetin e tyre. Mirëpo, të gjithë ne duhet ta kemi parasysh se lehtësimi i këtyre masave nuk do të thotë se rreziku nga përhapja e pandemisë është tejkaluar tërësisht. Prandaj, është e rëndësishme që lehtësimi i këtyre masave të zbatohet me kujdes të shtuar për veten dhe për të tjerët.

 

Nuk ka dyshim se sektori i punës është ndikuar shumë gjatë kësaj krize, andaj të gjithë sektorët e shoqërisë – duke i përfshirë bizneset, punëdhënësit, punëtorët dhe partnerët social – duhet të angazhohen për të mbrojtur punëtorët, familjet e tyre dhe shoqërinë në tërësi. Për këtë arsye Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (AESSHP) i ka përgatitur disa udhëzime jo të detyrueshme për t’i ndihmuar të gjithë aktorët e sipërpërmendur shoqëror që të rifillojnë veprimtaritë e bizneseve të ndryshme pa e rrezikuar ripërhapjen e COVID-19. Në vijim ju ftojmë që t’i lexoni disa prej këtyre masave që mund t’i ndërmerrni sipas AESSHP:

 

PËRDITËSONI VLERËSIMIN TUAJ TË RREZIKUT DHE NDËRMERRNI MASAT E DUHURA

Sikurse në kushte normale të punës, identifikimi dhe vlerësimi i rrezikut fizik dhe psikosocial në vendin e punës është pikënisja edhe për menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit profesional gjatë pandemisë COVID-19. Për të qenë më të saktë në përditësimin e vlerësimit tuaj të rrezikut siguroni informacionet më të fundit nga autoritetet publike për përhapjen e COVID-19 në zonën tuaj. Pasi që ta përditësoni vlerësimin tuaj të rrezikut përgatiteni një plan të veprimit me masat e duhura.

 

MINIMIZIMI I EKSPOZIMIT NDAJ COVID-19 NË PUNË

Siç është cekur më sipër, zbatimi i praktikave të sigurta të punës për të kufizuar ekspozimin ndaj COVID-19 në punë fillimisht kërkon vlerësimin e rrezikut dhe më pas zbatimin e masave kontrolluese. Padyshim ndër masat kryesore janë:

Kryeni vetëm punët esenciale tani për tani. Kryerja e disa punëve mund të shtyhet kur rreziku të jetë më i ulët;
Nëse është e mundur ofroni shërbimet nga distanca (me telefon apo video);
Sigurohuni që vetëm punëtorët që janë të domosdoshëm për biznesin (punën) të jenë të pranishëm në vendin e punës dhe minimizoni praninë e palëve të treta;
Pakësojeni, sa më shumë që të jetë e mundur, kontaktin fizik ndërmjet punëtorëve (p.sh. gjatë takimeve apo pauzave);
Izoloni punëtorët të cilët mund t’i kryejnë detyrat e tyre të punës vetëm dhe që nuk kanë nevojë për makineri dhe pajisje speciale (p.sh. kur është e mundur vendosini ata të punojnë në ndonjë zyre shtesë, dhomë të takimeve, apo hapësira të ngjashme).
Nëse është e mundur kërkojuni punëtorëve më të rrezikuar që të punojnë nga shtëpia (personat e moshuar apo ata me sëmundje kronike si hipertensioni, probleme me zemër apo mushkëri, diabet, etj.), shtatzënave dhe punëtorëve që kanë anëtarë të familjes së ngushtë që bien në këto kategori.
Eliminoni apo, nëse nuk është e mundur, kufizoni ndërveprimin me konsumatorë përmes porosive me telefon apo lejimin e hyrjes së kontrolluar të konsumatorëve;
Këmbëngulni për zbatimin strikt të rregullave të higjienës dhe siguroni mjetet e nevojshme dezinfektuese për të gjithë në vendin e punës. Kujdes i veçantë të tregohet gjatë shfrytëzimit të tualeteve dhe mirëmbajtjes së tyre.

Këto janë vetëm disa prej masave që rekomandohen nga AESSHP. Nëse keni dëshirë që të lexoni më shumë për këtë temë të rëndësishme shkoni në: https://osha.europa.eu/…/covid-19-back-workplace-safe-and-h….

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE